Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani së bashku me dekanin e Fakultetit Filozofik-Shkup, prof. Dr. Oliver Bakreski dhe specialistja e lartë e arsimit nga Banka Botërore, Bojana Naceva, morën pjesë në takim me Grupin punues konsultativ për zhvillim të hershëm të fëmijërisë në prani të dekanëve nga fakultetet pedagogjike në vend, profesorëve, ekspertëve, punonjësve nga Ministria e Politikës Sociale, Demografia dhe Rinia dhe Njësia e Projekteve e ministrisë.

Në takim u prezantua programi i propozuar për “Arsimin Fillestar”, përmes një diskutimi të hapur, u shkëmbyen mendime nga përvojat e fakulteteve që tashmë e kanë zbatuar programin dhe u propozuan hapat e ardhshëm.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ministri Limani shprehu kënaqësinë për takimin e sotëm, i cili synon që përmes punës së përbashkët të harmonizohen programet e studimit të fakulteteve pedagogjike, të cilat janë kyçe për ofrimin e shërbimeve cilësore në kujdesin dhe edukimin parashkollor, por edhe për avancimin e kompetencave profesionale të edukatorëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Fëmijët janë e ardhmja jonë dhe do të mbeten gjithmonë në qendër të vëmendjes sonë. Me këtë reformë synojmë të krijojmë një profil bashkëkohor të një pedagogu të diplomuar, i cili do të jetë në përputhje me nevojat e fëmijëve bashkëkohorë dhe që do të zotërojë njohuri dhe aftësi që korrespondojnë me standardet më të fundit pedagogjike”, theksoi Limani.

Qasja e re e propozuar mundëson një bërthamë të unifikuar të lëndëve kryesore, të cilat do të përcaktojnë një profil unik kombëtar për një edukator, do të përmirësojnë mësimdhënien praktike dhe do të përforcojnë kriteret për përzgjedhjen e mentorëve dhe kopshteve, si dhe do të rrisin mobilitetin akademik kombëtar.

“Edukatorët janë njerëzit kyç që punojnë me më të vegjlit tanë në parashkollorë dhe vendosin themelet për zhvillimin e tyre edukativ dhe personal. Është vendi i parë ku fëmija, pas familjes, do të udhëhiqet dhe mbështetet për të realizuar potencialin e tij të plotë. Ne si Ministri kemi obligim që t’u ofrojmë trajnime adekuate edukatorëve të ardhshëm, të cilët do të luajnë një rol kyç në formimin e brezave të ardhshëm”tha Limani.

Ai shprehu besimin se përmes bashkëpunimit të përbashkët do të mund të ndërtohet një sistem i qëndrueshëm që do t’i përgatisë studentët për sfidat reale në praktikë dhe do të vendosë baza të forta për zhvillimin e ardhshëm të procesit edukativ-arsimor në vendin tonë.