Shkupi është ende qyteti më i ndotur në Evropë me indeks prej 162, dhe i 11-ti në botë, sipas të dhënave nga një faqe interneti e specializuar për matjen e cilësisë së ajrit.

Kristina Kostova, nënkryetare e LSDM-së, ka kritikuar ashpër qeverinë e udhëhequr nga VMRO-DPMNE për mungesën e veprimeve ndaj ndotjes së ajrit, duke theksuar se Shkupi, Tetova, Kumanova dhe qytete të tjera të Maqedonisë vazhdojnë të jenë ndër më të ndoturat në Europë. Ajo ka shprehur shqetësimin për ndikimin e ndotjes në shëndetin e qytetarëve, duke përmendur se më shumë se 2800 jetë humbasin çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit, sipas të dhënave nga Banka Botërore.

“Lufta kundër ndotjes është një proces i gjatë që kërkon një qasje strategjike, angazhim të vazhdueshëm dhe masa serioze institucionale. Fatkeqësisht, më shumë se gjashtë muaj pasi VMRO-DPMNE mori përgjegjësinë, jemi dëshmitarë të mungesës së veprimeve dhe masave që po ndërmerren. Shkupi, Tetova, Kumanova, Manastiri dhe qytete të tjera të Maqedonisë janë vazhdimisht në listën e qyteteve më të ndotura dhe sipas Bankës Botërore, ndotja merr jetën e 2800 bashkëqytetarëve tanë në vit. Këto të dhëna alarmante kërkojnë hapa urgjente institucionale, të cilat fatkeqësisht mungojnë plotësisht” tha Kristina Kostova – Nënkryetare e LSDM-së.

Nga ana tjetër, qeveria e VMRO-DPMNE-së ka theksuar përkushtimin e saj për një zgjidhje sistematike të problemit të ajrit të ndotur, duke përfshirë ndërtimin e termocentraleve me gaz, si një hap afatgjatë për uljen e ndotjes.

“Ndotja e ajrit në qytetet në mbarë vendin është një problem serioz që kërkon një qasje sistematike dhe afatgjatë për zgjidhjen e tij. Dhe rezultatet e para të masave sistematike të marra do të ndiheshin në një periudhë afatmesme, disavjeçare. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE është e përkushtuar për një strategji afatgjatë dhe sistematike që do të reduktojë realisht ndotjen. Për ta bërë këtë, ndër të tjera, është e nevojshme të ndryshohet mënyra e ngrohjes së shtëpive, dhe kjo nënkupton përdorimin e më shumë lëndëve djegëse ekologjike, përfshirë ngrohjen qendrore, në vend të lëndëve djegëse fosile” – thonë nga VMRO.

Indeksli I lartë tregon se njerëzit me probleme të frymëmarrjes dhe zemrës, të moshuarit, fëmijët dhe gratë shtatzëna duhet të shmangin ekspozimin e zgjatur në natyrë. Rekomandohet përdorimi i maskave mbrojtëse, veçanërisht në zonat më të ndotura të qytetit. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dje u kërkoi institucioneve që të zbatojnë obligimet e tyre për të ulur ndotjen e ajrit.