LSDM ka shprehur shqetësim serioz për situatën në Klinikën e Onkologjisë, ku mungesa e medikamenteve ka vënë në rrezik terapinë për pacientët që varen prej saj. Partia kërkon dorëheqjen e drejtorëve të Klinikës së Onkologjisë, drejtorit të Fondit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, si dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari.
“Arsyetimet apo justifikimet janë të papranueshme kur bëhet fjalë për jetët njerëzore. Kaosi në Onkologji duhet të ketë përgjegjësi. Këta persona nuk kanë siguruar terapi të përshtatshme për pacientët, gjë që është drejtpërdrejt kërcënuese për jetën,” thuhet nga LSDM.
Opozita shton se nuk është ndërmarrë një plan i përshtatshëm për blerjen e duhur dhe në kohë të medikamenteve, nuk janë krijuar sisteme për regjistrim, dhe nuk ekziston një regjistër për pacientët.
“Pacientët janë lënë të vuajnë, ndërsa qeveria po e zgjidh problemin me donacione, ndërkohë që paralajmëron blerjen e një avioni,” akuzuan nga LSDM.