Maqedonia do ta përkrahte ftesën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO kur të krijohen kushte për një gjë të tillë. Në Kiev po qëndron zëvendësministri i jashtëm, Zoran Dimitrovski. Ai është nënshkrues i deklaratës së përbashkët Ukrainë-Europë juglindore, në të cilën thuhet se vendet e rajonit e dënojnë pjesëmarrjen e ushtrive të vendeve të treta në pushtimin rus ndaj Ukrainës dhe se do të angazhohen për anëtarësimin e të gjitha vendeve kandidate në BE, për shkak se kjo do të sjellë stabilitet më të madh në Europë.

Ndërkohë nga shoqata e ukrainasve në Maqedoni, Lesja ukrainase, falënderuan që vendi vazhdon me ndihmë për Ukrainë. Prej atje thonë se tashmë janë zgjidhur sfidat për refugjatët që ndodhen këtu, edhe pse shumica prej tyre janë larguar në vendet e tjera europiane, sepse me ligjet e tyre më lehtë mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.

Së fundmi, Maqedonia me ndihmën ushtarake e ndihmoi Ukrainën nëntorin e kaluar, ndërsa ministri i mbrojtjes Vllado Misajllovski në një intervistë theksoi se është mirë që administrata e re në SHBA paralajmëron se do të fillojë negociata për paqe. Ndërkohë, ministri për çështje europiane dhe negociuesi kryesor me BE, Orhan Murtezani e vizitoi Kievin ku bashkë me kolegen e tij nga Ukraina, Olga Stefanishina nënshkruan Memorandum për bashkëpunim që do të mundësojë shkëmbim të diturive dhe përvojave për integrimin europian.