Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ishte sot në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë së vendosur nga Apeli i Posaçëm për paraqitjen e tij dy herë në muaj pranë një oficeri të policisë gjyqësore.
Masa e re e sigurisë ndaj zotit Berisha, u mor nga Gjykata javën e shkuar, pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për rivendosjen ndaj tij të “arrestit në shtepi”. Sipas zotit Berisha, vendimi nuk ka asnjë bazë ligjore. Ai e konsideron atë, një urdhër politik të kryeministrit Edi Rama për qëllime elektorale.
Sot pas daljes nga Prokuroria ai sulmoi sërish Strukturën e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, duke e quajtur “një organizatë kriminale” e cila sipas tij “fle mbi dosjet e krimit”. Ai deklaroi se Prokuroria nuk heton për lidhjet e eksponentëve të shumicës socialiste me elementët e krimit, pavarësisht se siç u shpreh, ata kanë në duar fakte dhe prova për një gjë të tillë.
Zoti Berisha është marrë i pandehur për çështjen e privatizmit të ish klubit sportiv Partizani, ku sipas prokurorisë, ai favorizoi dhëndrin e tij, një nga ish pronarët e truallit mbi të cilin u ngrit me pas një kompleks pallatesh.
Në Tetor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe “ndalim të lëvizjes jashtë vendit”. Zoti Berisha refuzoi ta njihte një masë të tillë, duke vlerësuar se ajo ishte në shkelje të kushtetutës pasi sipas tij do duhej më parë të merrej autorizim nga parlamenti. Një veprim që i kushtoi dy muaj më pas, “arrestin në shtëpi”. Ndërkohë në fund të vitit të shkuar, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë SPAK-ut.
Hetimet ndaj tij kanë përfunduar dhe Prokuroria e Posaçme e ka përcjellë dosjen për gjykim. Por gjykatësi paraprak nuk është shprehur ende mbi rastin. /VOA