Gjithsej 47 deputete që morën mandat në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar janë pjesë e përbërjes së re të Klubit të Deputeteve, i cili po konstituohet sot – me zgjedhjen unanime të Jovana Trençevskës për kryetare, pas së cilës me konsensus, u votua edhe për kryesia e re.
Kryesia e sapozgjedhur e Klubit të Deputeteve përfshin përfaqësuese nga të gjitha grupet parlamentare të përfaqësuara në Dhomën Ligjvënëse, të cilat gjatë mbledhjes konstitutive rikonfirmuan angazhimin e tyre për vazhdimin e betejës mbipartiake kundër të gjitha formave të diskriminimit dhe për avancimin e barazisë gjinore.
Nga radhët e kryesisë, me propozim të kryetares së sapozgjedhur Trençevska, u zgjodh edhe zëvendëskryetarja e Klubit të Deputeteve. Atë pozicion e mori deputetja Sillvana Angelevska.
Mbledhja e parë e përbërjes së re të Klubit të Deputeteve, e formuar fillimisht në mars 2003 si grup joformal në Kuvend, u drejtua nga deputetja më e vjetër, Merita Kolçi Koxhaxhiku.
Deputetet u përshëndetën nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili në fjalën e tij theksoi se asnjë shoqëri nuk mund të quhet e drejtë dhe e zhvilluar nëse nuk garanton mundësi të barabarta për gratë dhe burrat. Një shoqëri që nuk siguron barazi gjinore, tha ai, nuk ka shfrytëzuar kapacitetin dhe potencialin e saj të plotë dhe si rrjedhojë zhvillimi i saj është i kufizuar.
“Konsideroj se lufta për barazi gjinore nuk duhet të perceptohet vetëm si luftë e grave, por si sfidë e përbashkët për shoqërinë tonë. Burrat duhet të jenë partnerë të barabartë dhe po aq aktivë sa gratë në këtë luftë, sepse besoj se përfitimet e një shoqërie të barabartë nuk i gëzojnë vetëm gratë, por edhe burrat. Prandaj sot, me theks të veçantë, dua të theksoj nevojën dhe rolin e pashmangshëm që luajnë burrat në ndryshimin e mentalitetit, eliminimin e stereotipeve dhe mbështetjen e grave në jetën profesionale, sociale dhe politike. Vetëm me angazhim të përbashkët mund të krijojmë shoqëri ku çdo individ, pa dallim gjinie, të ketë mundësi të barabarta dhe të respektohet për kontributin e tij”, tha Kryetari Gashi.
Nënkryetarja e Kuvendit, Vesna Bendevska, falënderoi themelueset e Klubit të Deputeteve për kontributin e tyre 22 vjet më parë, duke theksuar se përpjekjet e tyre kanë dhënë fryte. Ajo tha se janë miratuar zgjidhjet kryesore ligjore për të garantuar dhe avancuar barazinë gjinore, por kemi ende shumë punë përpara.
“Uroj që ky forum të tregojë dhe të vërtetojë se është mbipartiak. Duhet të kemi dëshirë dhe përpjekje që bashkërisht të luftojmë për barazi gjinore dhe kundër të gjitha llojeve dhe formave të çdo diskriminimi, si dhe kundër gjuhës së urrejtjes”, tha nënkryetarja Bendevska.
Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se themelimi i Klubit të Deputeteve ishte moment historik që e vendosi Kuvendin si lider në promovimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të grave dhe tejkalimin e stereotipeve që me vite e kufizuan pjesëmarrjen e grave në politikë.
“Këto përpjekje, të mbështetura nga reforma të rëndësishme legjislative dhe institucionale, kanë krijuar kushtet që gratë të zënë vendin e tyre në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Klubi i Deputeteve është simbol i bashkëpunimit dhe unitetit në Dhomën Ligjvënëse. Ai duhet të përfaqësojë vizionin e përbashkët dhe të pasqyrojë potencialin e lidershipit të grave në krijimin e politikave më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, tha Dimovska.
Ajo theksoi se pjesëmarrja aktive e grave në vendimmarrje është me rëndësi thelbësore për zhvillimin e çdo institucioni demokratik.
“Jam e bindur se kjo përbërje e Klubit të Deputeteve do të jetë forca shtytëse e nismave të shumta që do të përmirësojnë situatën e grave dhe do të kontribuojnë në krijimin e një shoqërie të bazuar në drejtësi, përfshirje dhe barazi. Klubi duhet të jetë urë lidhëse jo vetëm ndërmjet opsioneve të ndryshme politike, por edhe ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve”, theksoi Dimovska.