Shkruan: Shkelzen Halimi
Kritika letrare, për fatin tonë të keq, asnjëherë nuk është marrë ashtu siç duhet dhe siç e meriton, me letërsinë shqiptare që krijohet në Maqedoninë e Veriut. Edhe nëse është marrë, kjo më shumë ka qenë rastësore, mbase sipërfaqësore dhe në të shumtën e rasteve e ngritur mbi baza miqësie (në stilin unë ty – ti mua) apo simpatie. Trajtimi me kutin e kësaj të fundit, shpesh herë këta kritikë e studiues, që shtirën e shiten si njohës të mirë të letërsisë, kanë dalë qesharak dhe me nuanca tragjike, duke e demaskuar vetveten se kanë bosht kurrizor elastik dhe të lakueshëm dhe se në fakt akoma letërsinë e trajtojnë në bazë të pikëpamjeve të realizimit socialist dhe se, sipas tyre, gjithçka që shkruhet jashtë kornizës së realizmit socialist, është art dekadent, hermetik, i degjeneruar dhe pesimist. Pra, akoma ka kritikë e studiues, të cilët në një kënd të trurit të tyre e kultivojnë doktrinën socialiste dhe komuniste.
Fatalja e disa individëve të tillë qëndron në faktin se ata pos që veten e trajtojnë si kritik, pse jo edhe si studiues, shkruajnë edhe poezi, pra janë edhe poetë dhe kjo ata deri diku i bën edhe të pamoralshëm, sepse si model të poezisë e marrin dhe e imponojnë (aty ku munden) pikërisht poezinë e tyre, e cila është, ashtu siç edhe e përcakton korniza e realizmit të tyre socialist, më shumë se realiste.
Frojdi në psiko-analizat e tij, ndër të tjera, ka thënë edhe këtë: “ndërsa bëhemi më të vjetër, ne nuk mundem thjesht të ndjekim parimet e kënaqësisë. Përkundrazi, duhet t’i përshtatemi parimit të realitet”. Ndërkaq, realiteti në sferën e letërsisë shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut, është krejt ndryshe nga ajo që e prezantojnë ata që parimet e kënaqësisë mundohen t’i maskojnë me njohjen e letërsisë. Letërsia shqipe në këto hapësira ka pasur një zhvillim normal dhe emra të shquara që e nderojnë përgjithësisht letërsinë kombëtare. Në këtë pjesë shqiptare ka pasur shumë shkrimtarë, por dhe ka, dhe janë botuar e botohen romane, tregime, poezi, drama e studime cilësore. Një zhvillim të veçantë sidomos ka pasur letërsia për fëmijë. Është e pamoralshme të heshtën këto fakte dhe si vlera e të arritura “letrare” të trajtohen simpatitë e miqësitë e moshave të reja, e gjithë kjo për t’i shëruar komplekset e sëmura si pasojë e mungesës jo vetëm të potencës intelektuale.
Nga ana tjetër, është për t’u habitur se si kjo pasqyrë e shëmtuar fare nuk u bën përshtypje atyre që njihen se krijues e si ligjërues të letërsisë në këtë nën-qiell, aq më tepër që “krimi” ndodh në prezencë të tyre dhe akoma më keq, që “kritiko-masakruesit” edhe duartrokiten. Pse këta të ashtuquajtur letrarë (që veprojnë e jetojnë në Maqedoninë e Veriut) i frikësohen të vërtetës, pse heshtin dhe lejojnë që me vetëdije të plotë të bëhen pjesë e krimit? PSE-të, mbase janë të shumta.
Natyrisht, nuk themi se edhe në këtë pjesë shqiptare kjo sferë mbeti imune nga disa dukuri negative. Pas viteve 90-ta, pati një vërshim masiv të “poetëve”, të cilët më vonë thjesht u tërhoqën, duke lënë një shije të pakëndshme. Po në këtë periudhë, për një çmim relativisht të lartë, u shkruan edhe libra me pagesë. Në krye të dorëshkrimit poetik u vu emri i porositësit. Prandaj, edhe në këto hapësira, shumë krijues, kurrë më nuk mundën të arrijnë nivelin e librit të parë. Dhe, mund ta marrim me mend se pse! Në rrethana normale, një përgjigje mbi këtë problem, pra të dallimit të madh midis librit të parë dhe atyre pasues, duhej ta jepte kritika stilistike, por këtë nuk mund ta vërejë një kritik a studiues, i cili komplekset e sëmura mundohet t’i shërojë vetëm përmes miqësive e simpative, duke u shitur në qarqet letrare si një njohës i thellë i poezisë, përkatësisht letërsisë. Me qasje selektive dhe interesa shumë të ulëta, nuk ndihmohet letërsia, përkundrazi degradohet në përmasa alarmante. Në rastin konkret kritiku apo studiuesi ose duhet të tregohet si personalitet që nuk bën kompromis, ose se është një injorant. E treta nuk ekziston.
Pra, letërsia shqipe në Maqedoninë e Veriut është shumë më e hershme, shumë më e madhe, shumë më cilësore se sa që do të kishte menduar një i ashtuquajtur kritik letrar apo studiues. Edhe më e rëndë bëhet gjendja nëse qasje e tij ndaj veprave letrare ngarkohet me urrejtje apriori të sëmurë dhe kjo më shumë shkakton dëm se sa ndonjë të mirë. Për fatin tonë të keq, ata që realisht nuk janë të informuar dhe që në shpirtrat e tyre nuk kanë djallëzi, për shkak të një “imazhi” artificial të krijuar ndër vite, atij i ofrojnë hapësirë të mjaftueshme, të cilën hapësirë “kritiku” e keqpërdor duke i nxjerrë në pah “brirët” e djallit…