Në fshatin Lisec të Tetovës, u organizua një ceremoni e veçantë për përfundimin e leximit të Kuranit nga fëmijët e fshatit. Të veshur me plisa dhe rroba kuq e zi, fëmijët përcollën atmosferë të jashtëzakonshme, duke e bërë këtë ngjarje një moment krenarie për komunitetin.

Ceremonia u veçua edhe nga prania e Reisit të BFI-së, ShaqirFetahu i cili mori pjesë për herë të parë në një organizim të tillë në këtë fshat. Po ashtu, prezent ishte edhe Myftiu i Tetovës, Selver Xhemaili, i cili përgëzoi fëmijët dhe familjet e tyre për angazhimin dhe përkushtimin në mësimin e fjalës së Zotit.

Një falënderim i veçantë iu dedikua edhe hoxhës Arsim Idrizi, i cili me durim dhe përkushtim ka udhëhequr fëmijët gjatë procesit të mësimit të Kuranit. Ai u shpreh krenar për arritjet e tyre dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të traditës së mësimit të Kuranit në këtë fshat.

Kjo ceremoni mbetet një shembull i bukur i bashkimit të fesë dhe traditës kombëtare.

Ngjarja u shoqërua me emocione të shumta, ndërsa prindërit, të afërmit dhe banorët e fshatit Lisec u mblodhën për të festuar këtë moment të rëndësishëm.

Me këngë tradicionale dhe lutje, atmosfera reflektoi lidhjen e fortë mes fesë dhe identitetit kombëtar.

Reisi i BFI-së, gjatë fjalës së tij, përgëzoi të pranishmit dhe vlerësoi përpjekjet e hoxhës Arsim Idrizi për edukimin fetar të gjeneratave të reja. Ai theksoi se investimi në rininë është garancia për një të ardhme të ndritur dhe se puna e bërë në Lisec duhet të shërbejë si model edhe për komunitete të tjera.

Nga ana tjetër, Myftiu Selver Xhemaili falënderoi banorët e fshatit për mbështetjen dhe respektin që tregojnë ndaj vlerave fetare dhe kombëtare. Ai shprehu urimet më të mira për fëmijët dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të thellojnë njohuritë e tyre në fe dhe arsim.

Në fund të ceremonisë, fëmijët u shpërblyen me dhurata simbolike, duke u inkurajuar për përkushtimin e tyre. Kjo ngjarje do të mbahet mend gjatë si një moment frymëzimi dhe bashkimi për të gjithë banorët e Lisecit dhe më gjerë.