Zv. Kryeministri i parë dhe Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, ka mbajtur një takim me Kryetarin e Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, për të diskutuar mbi projektet që po realizohen dhe ato që do të fillojnë së shpejti në këtë komunë. Qëllimi i këtij takimi sipas tij ishte zhvillimi i infrastrukturës si një bazë për përmirësimin e standardit të jetesës dhe për krijimin e një shoqërie më të qëndrueshme.
“Si Qeveri, dhe si Ministri e Mjedisit të Jetësor, ne konsiderojmë projektet që po realizojmë në Gostivar si investime të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për cilësinë e jetës së qytetarëve tanë,” tha Mexhiti. Ai gjithashtu theksoi se këto projekte nuk janë vetëm zgjidhje afatshkurtra, por strategji afatgjata për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit.
Një nga projektet kryesore që po realizohet sipas Mexhitit është ndërtimi i kolektorit fekal dhe kanalizimit për Bllokun Urban 21 në Gostivar, për të cilin janë financuar më shumë se 87 milionë denarë. Pjesë e këtij projekti ka qenë edhe financimi i shtesës prej 35 milionë denarë për lidhjen e linjës infrastrukturore me hekurudhën dhe rrugën rajonale.
Komuna e Gostivarit është gjithashtu përfshirë në projektet financuar nga Banka Evropiane për Investime, ndërsa në vitin 2025 janë planifikuar të realizohen projekte të tjera me vlerë të konsiderueshme:
• Ndërtimi i rezervuarit për fshatin Çegran dhe rrugës së qasshëm për 30 milionë denarë.
• Ndërtimi i linjës së re të ujit nga Forina deri në Çegran me vlerë 28 milionë denarë.
• Pjesë e Projektit Rajonal për mbetje të ngurta, me mbështetje nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, do të sigurohen pajisje për selektimin e mbetjeve nga amvisëritë, furnizimi i kamionëve për transportin e mbetjeve, sipas kërkesave dhe nevojave të komunës.
Në kuadër të këtij projekti, për komunën e Gostivarit do të sigurohen:
• 3.300 shporta 120 litra
• 210 kontejnerë
• 11 kamionë për transportin e mbetjeve
Po ashtu, për vitin 2024, nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë ndarë më shumë se 161 milionë denarë për realizimin e më shumë projekteve infrastrukturore në komunën e Gostivarit. Këto projekte përfshijnë:
• Rikonstruksionin e bulevardit “Vëllezërit Gjinovski” nga hyrja e Gostivarit deri te ndërtesa e gjykatës me vlerë 64 milionë denarë.
• Ndërtimin e shëtitores në rrugën “Borçe Jovanovski” me vlerë 23 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e rrugës kryesore në fshatin Zdunje me vlerë 10 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e rrugës 13 me vlerë 4 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e rrugës nga Gjimnazi deri në fshatin Banjicë e Poshtme me vlerë 22 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e rrugës në fshatin Balin Doll me vlerë 3 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Borçe Jovanovski” nga Fondi për sigurim shëndetësor deri në Shtratin e Lumit Vardar me vlerë 3 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Nikola Teslla” nga ndërtesa e Gjykatës deri në Shkollën Mjekësore me vlerë 3 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Mara Ugrinova” rreth Stacionit të Autobusëve deri në rrugën “Beliçica” me vlerë 4 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e rrugës “Mara Ugrinova” rreth Stacionit të Autobusëve me vlerë 5 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Mara Ugrinova” paralelisht me hekurudhën me vlerë 5 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Mlladen Simonovski” deri në rrugën “Pançe Poposki” me vlerë 6 milionë denarë.
• Rikonstruksionin e një pjese të rrugës “Nikola Teslla” nga Gjimnazi deri në lagjen Dutlok me vlerë 7 milionë denarë.
Me këto investime, si në komunën e Gostivarit, ashtu edhe në të gjitha komunat e tjera të Maqedonisë së Veriut, siç tha Mexhiti po vendosin themelet për zhvillim të qëndrueshëm që do të sjellë përfitime për gjeneratat e ardhshme.

Po ashtu edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani shprehu nderin dhe kënaqësinë që mirëpriti zv.kryeministrin e parë dhe ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhitin për të diskutuar projektet vijuese dhe ata të cilat pritet të realizohen me ndihmën e qeverisë në vitin 2025.
“Besoj që ky bashkëpunim do jetë shumë i frytshëm si për komunën e Gostivarit, ashtu edhe për qytetarët. Me këto projekte infrastrukturore që i përmendi zv.kryeministri, jeta e qytetarëve në Gostivar do të ndryshojë dukshëm duke ofruar kualitet më të lartë”, u shpreh Valbon Limani.