Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë për TV Koha theksoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve do të mbetet i paprekur.

“Ata që e lanë gjuhën shqipe gjysmake dhe e reduktuan në një numër, 20%, tani po tentojnë ta keqpërdorin edhe më tej për të krijuar tensione dhe tollovi. Ne u themi të gjithëve të rrijnë të qetë, sepse edhe Gjykata Kushtetuese e ka kuptuar se kjo çështje është normë juridike dhe politike, e ndërlidhur me Marrëveshjen e Ohrit,” tha Mexhiti.

Ai shtoi se brenda koalicionit qeverisës ka pasur një dakordësi të qartë se ky ligj nuk duhet të preket.

Mexhiti: Shpërndarja e drejtë e buxhetit sjell më shumë spitale, shkolla dhe infrastrukturë më të mirë

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë për TV Koha theksoi rëndësinë e ekonomisë si faktor përcaktues për politikën, duke nënvizuar se VLEN i kushton vëmendje të veçantë progresit ekonomik.

“Ekonomia e determinon politikën. Po të vlente parimi i badenterit edhe në votimin e buxhetit të shtetit, statusi ekonomik dhe politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut do të ishte ndryshe. Atëherë, automatikisht do të përfitonin 25-30% të buxhetit në 16 komunat shqiptare,” deklaroi Mexhiti.

Ai shtoi se shpërndarja e drejtë e buxhetit do të reflektohej menjëherë në pushtetin lokal, duke sjellë investime në spitale, shkolla dhe infrastrukturë më të mirë.

Mexhiti: Të gjithë ish-ministrat e BDI-së kanë nënshkruar për heqjen e balancuesit

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë për TV Koha, deklaroi se BDI po vepron me hipokrizi duke kundërshtuar një vendim që vetë e ka mbështetur – heqjen e balancuesit.

“Të gjithë ish-ministrat e BDI-së, përfshirë Bujar Osmanin dhe Kreshnik Bekteshin, kanë vendosur nënshkrimet e tyre në vendimin për heqjen e balancuesit, duke e cilësuar atë të skaduar. Nuk mund të nënshkruash si ministër një vendim dhe më pas ta kundërshtosh atë për arsye politike. Ne nuk veprojmë si ata, por po punojmë për zgjidhjen përfundimtare ligjore të këtij problemi,” tha Mexhiti.

Ai shtoi se çështja e vetme e mbetur është përcaktimi i institucionit përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, mes opsioneve si Agjencia e Administratës, Avokati i Popullit apo Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.

Mexhiti: Nga balancuesi te ligji – drejt një zgjidhjeje afatgjatë

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë për TV Koha foli për tërheqjen e balancuesit si një mekanizëm të dështuar, duke e cilësuar si një hap përpara për VLEN, e cila ka arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit për krijimin e një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Këta gjykatës kushtetues janë zgjedhur nga shumica e kaluar, e cila tani abrogoi balancuesin. Po e njëjta gjykatë, kur ministër ishte Krenar Lloga, abrogoi edhe ligjin për librat amë, për të cilin BDI-ja as që hapi debat mbi rikthimin apo një zgjidhje tjetër. Tani, e njëjta gjykatë ka abroguar edhe mekanizmin e balancuesit. Kur ky mekanizëm nuk ishte në fuqi, numri i shqiptarëve në administratë ishte më i lartë dhe rritej në mënyrë rapide,” tha Mexhiti.

Ai shtoi se, ndryshe nga BDI që heshti, VLEN ka vepruar dhe ka siguruar një zgjidhje ligjore në vend të mekanizmit të balancuesit.

“Me ardhjen e balancuesit, numri i shqiptarëve në administratë u ul. Madje, vitet e fundit, ministrat e BDI-së kanë nënshkruar vetë se këtij mekanizmi i ka skaduar afati. Kur u abrogua ligji i librave amë, ata heshtën, ndërsa ne arritëm marrëveshje politike për një ligj që siguron përfaqësim të drejtë dhe adekuat,” përfundoi Mexhiti.