Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske në lidhje me respektimin e marrëveshjes për paga më të larta në shëndetësi, theksoi se kjo Qeveri respekton të gjitha marrëveshjet, madje edhe ato të marra nga Qeveria e mëparshme.

“Qeveria, sigurisht, i respekton të gjitha marrëveshjet, madje edhe ato të marra si obligim nga Qeveria e mëparshme, por është ajo që është. Ne kemi lidhur marrëveshje me sindikatat, arritëm marrëveshje historike afatgjate për katër vitet e ardhshme dhe pas atyre 10% të para të rritjes së mjeteve për pagesën e pagave, ku në kuadër të këtyre mjeteve te stafi teknik kemi rritje më të madhe të përqindjes, për mjekët kemi përqindje më të vogël, por në përgjithësi, ajo rritje prej 10% të mjeteve për paga u realizua në muajin tetor, pra në muajin nëntor për tetor dhe e njëjta do të ndodhë tani në muajin prill për muajin mars, ku do të ketë rritje prej 5% të pagave dhe kështu do të vazhdojë të rritet edhe në katër vitet e ardhshme. Treguam se nëse buxheti lejon, mesatarisht mjetet për pagat e punonjësve në shëndetësi do të rriten deri në 50%, diçka që paraqet sukses historik dhe do të vazhdojmë të mbështesim shëndetësinë,” sqaroi kryeministri Mickoski.

Kryetari i Qeverisë Mickoski shtoi se në periudhën e ardhshme do të ketë reforma strukturore në shëndetësi, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimet shëndetësore që u nevojiten.

“Tani do të vijojnë reforma strukturore në këtë proces dhe mendoj se me kalimin e kohës qytetarët do të marrin shërbimet shëndetësore që u nevojiten. Këtu mos të harrojmë edhe specializantët për të cilët gjithashtu kemi thënë se do të punësohen. Kemi siguruar mjete për ta dhe ata do të punësohen, në mënyrë që të mos përsëritet parimi “si deri më tani”” tha kryeministri dhe shtoi:

“Të mos harrojmë gjithashtu se do të kemi më shumë se 1.000 punësime të reja në shëndetësi, diçka që e ka premtuar edhe ministri i Shëndetësisë. Procedura ka filluar, vetëm mbetet të përfundojnë hapat formalë, kështu që do t’i kushtojmë shumë vëmendje dhe i kushtojmë shëndetësisë.”