Mickoski: Ndërtesat e FSHIIK dhe FKF do t’i ndërtojmë, por a do të kemi studentë për t’i mbushur pas 18 vitesh, prandaj duhet së bashku të krijojmë paradigmën drejt së cilës duhet të synojmë
Sot, në seancën e Kuvendit të dedikuar për pyetjet e deputetëve, kryeministri Hristijan Mickoski u ndal te ndërtimi i objekteve të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe FSHIIK, si dhe te gjendja në arsim nga aspekti i parametrave demografikë të zvogëluar.
“Arsimi për ne është prioritet, sepse nuk mund të kesh një shtet të fortë pa një arsim të fortë,” tha kryeministri dhe vazhdoi:
“Në arsimin e lartë, nga ku vij edhe unë, ndërtimi i infrastrukturës është shumë i rëndësishëm. Qoftë për kampusin e ri që planifikojmë të ndërtojmë për Universitetin ‘Nënë Tereza’, qoftë për ndërtimin e ndërtesave të reja të fakulteteve FSHIIK dhe FKF, qoftë për krijimin e një parku të ri teknologjik që do të jetë i rëndësishëm – për mua si kryeministër, këto përfaqësojnë vetëm vlerë të shtuar. Kur investoni në arsimin e lartë, gjithmonë mund të fitoni, nuk mund të humbni.”
Ai theksoi se këto ndërtesa të fakulteteve do të ndërtohen dhe se studentët do të vendosin për stilin arkitektonik.
“A do të jenë në stilin e vjetër barok apo në një stil modern? Le të vendosin studentët. Si të dëshirojnë ata, ashtu do të jetë. Ne nuk do të imponojmë asgjë,” theksoi kryeministri Mickoski.
Ajo që mua më shqetëson është fakti se këtë vit akademik 2024/2025 kanë maturuar vetëm rreth 14,000 maturantë. Nëse kthehemi 18 vite pas, do të shohim që na mungojnë rreth 10,000 njerëz. Kjo për mua është një sfidë,” nënvizoi Mickoski.
Ai gjithashtu theksoi se as këta 14,000 maturantë nuk regjistrohen të gjithë në fakultete, duke pasur parasysh që në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” janë regjistruar vetëm 5,000 studentë edhe pse ai pranon më shumë se gjysmën e të gjithë studentëve në vend.
Sipas tij, ky është një parametër shqetësues, sidomos kur merret parasysh numri i të sapolindurve tani, të cilët pas 18 vitesh do të jenë studentët e ardhshëm potencialë.
“Këto ndërtesa do t’i ndërtojmë, do të ndërtojmë edhe kampusin e Universitetit ‘Nënë Tereza’ dhe shumë të tjera, por frikësohem se mos mbeten bosh pas 10-15 vitesh. Prandaj na duhet të ulemi të gjithë së bashku dhe të krijojmë një paradigmë të re dhe një qëllim se ku duam të shkojmë. Çmendurisë duhet t’i vijë fundi. Nuk është gjithçka politikë dhe nuk është gjithçka dëshirë për pushtet dhe kontroll.”,përfundoi Mickoski.