Në seancën e sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, Kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Jovana Trençevska nëse planifikohet rritja e pagës minimale dhe nëse ajo do të arrijë mbi 500 euro, theksoi se, megjithëse Qeverisë do t’i konvenonte më së shumti një rritje e tillë, paga minimale duhet të përcaktohet nga punëtorët dhe punëdhënësit.

“A do ta rrisim pagën minimale dhe nëse ajo do të jetë mbi 500 euro? Nëse më pyesni personalisht, do t’ju thoja se paga minimale duhet të jetë 5 mijë. Me rritjen e pagës minimale, ndoshta më së shumti do të përfitonte Qeveria dhe buxheti.

Jo ndoshta, por me siguri do të përfitonte më së shumti, sepse ekonomia dhe bizneset do të duhet të ponderojnë në mënyrë proporcionale të gjitha pagat, që do të thotë se edhe kontributet për buxhetin dhe fondet do të ponderohen dhe në realitet, kjo na konvenon më së shumti.

A është kjo e drejtë? Ky është një rrezik moral. A është në rregull? Edhe kjo është një rrezik moral”, theksoi Mickoski.

Ai shtoi se paga minimale do të jetë ajo që do ta dakordojnë punëtorët dhe punëdhënësit, ndërsa Qeveria do ta lehtësojë atë proces.

“Paga minimale do të jetë ajo që do ta dakordojnë punëtorët dhe punëdhënësit.

Ne jemi palë e cila mund ta lehtësojë atë proces, ta ndjekë dhe ta mbështetë kur të përfundojë, nëse arrihet një zgjidhje. Çdo zgjidhje që ata do ta mbështesin, ne do ta pranojmë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë.

Të hënën në rend dite është një pikë që ka të bëjë me pagën minimale.

Shpresoj që punëdhënësit dhe punëtorët të arrijnë një marrëveshje, një marrëveshje që ne do ta mbështesim.”, potencoi Mickoski.