Qytetarët të cilët nuk i kanë ndërruar patentë shoferët dhe targat të cilat tani më nuk janë të vlefshme, të mos dënohen gjatë kësaj periudhe, deklaroi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Ai u bëri thirrje punonjësve të policisë që të kenë parasysh dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me indikacionet dhe paralajmërimet.

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Konsideroj se asnjë polic i vendit nuk duhet të shqiptojë gjobë për këtë lloj kundërvajtjeje, sepse qytetari i vendit tonë nuk duhet të paguajë para për shkak se në të kaluarën kemi pasur politikanë të paaftë. Kjo periudhë duhet të kalojë në veprime parandaluese nga ana e policisë për të respektuar ligjin”.

Sa i përket letërnjoftimeve, Toshkovski ka mohuar shkrimet e një pjese të mediave të cilat kanë shkruajtur se edhe këto dokumente pushojnë së vlefshmi.

PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Të gjitha letërnjoftimet me një datë të vlefshme të vulosur janë të vlefshme dhe do të vazhdojnë të jenë të vlefshme. As edhe një ndryshim ligjor nuk ka të bëjë me letërnjoftimet, kështu që qytetarët të jenë të qetë nga ai aspekt”.

Nga dita e sotme, patentat e shoferit me emrin e vjetër të shtetit më nuk vlejnë. Nga institucionet kompetente kanë njoftuar se deri më tani janë dhënë mbi 800 mijë patentë shoferë me emrin e ri kushtetues të shtetit.