Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i hedh poshtë në tërësi pohimet e kryetarit të komunës së Vrapçishtit, se kompetencat në pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor dhe drejtorit të institucionit parashkollor “Pranvera” – Vrapçisht, i janë hequr në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në fakt, kryetarit të komunës iu dha një vërejtje se ushtruesi i detyrës drejtor në institucion nuk i plotëson kushtet për të qenë drejtor, prandaj ai duhej të emëronte një person të përshtatshëm për ushtrues detyre nga radhët e të punësuarve në institucion.

Pavarësisht vërejtjes, kryetari i komunës, vetëm disa ditë pas shkarkimit të ushtruesit të detyrës drejtor, e emëroi përsëri të njëjtin person në këtë pozitë, duke shkelur kështu dispozitat e ligjit.

Emërimi i ushtruesit të detyrës drejtor dhe i drejtorit është një detyrim ligjor i tij si kryetar komune, të cilin, në këtë rast, nuk e ka respektuar.

Në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe në interes të funksionimit të ligjshëm dhe të papenguar të institucionit parashkollor, Ministria ia hoqi kompetencat në pjesën e emërimit të ushtruesit të detyrës drejtor dhe të drejtorit të institucionit për një periudhë njëvjeçare, duke e shkarkuar ushtruesin e detyrës drejtor dhe duke emëruar një drejtor në përputhje me ligjin.