MPB-ja njofton se më 31 dhjetor 2024, policia e Shkupit në Hasanbeg ka privuar nga liria dy persona, të cilëve, në tezgë të improvizuar u janë gjetuar dhe konfiskuar rreth 13.000 mjete piroteknike.

Edhe pse, para festave të Vitit të Ri, kishte thirrje të vazhdueshme nga autoritetet kundër përdorimit të mjeteve piroteknike, duket se apelet nuk po japin rezultate, nata e Vitit të Ri, I ngjante “luftës” me mjete piroteknike.

Duke bërë bilancin e natës së Vitit të Ri, autoritetet e shëndetësisë njoftuan për rastin e 13-vjecarit i cili rrezikon të ketë pasoja të rënda në dorë, për shkak të lëndimit nga mjetet piroteknike.

Ekspertët kanë paralajmëruar se mjetet piroteknike jo vetë që mund të shkaktojnë lëndime serioze për fëmijtë, kafshët, por ndotin edhe ambientin, shkaktojnë shqetësime të mëdha tek të moshuarit dhe në veçanti tek fëmijët me autizëm.

Buletini policor është përplot me njoftime për konfiskimin e sasive të mëdha të mjeteve piroteknike nëpër shumë qytete të vendit, por shitësit edhe mëtej gjejnë mënyra për t`i plasuar në treg këto mjete të rrezikshme, ku fatkeqësisht blerës më të mëdhenj janë të miturit.

Autoritetet e shëndetësisë në vend njoftuan se vetëm për një muaj në Klinikën “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup, me lëndime nga mjetet piroteknike janë paraqitur rreth 50-të pacientë. Nëse grumbullohen të dhënat edhe nga institucionet tjera, shifrat mund të flasin për situatë alarmi në vend.