Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe kryetarja e Gjykatës Supreme Besa Ademi dje nënshkruan Marrëveshje për bashkëpunim dhe shkëmbim të të dhënave në formë elektronike ndërmjet dy institucioneve.
Me Marrëveshjen vendoset shkëmbimi ndërinstitucional i të dhënave në formë elektronike përmes Platformës nacionale për ndërveprueshmëri, me ç’rast rregullohet forma e kërkesave individuale në bazë të të cilave do të bëhet shkëmbimi elektronik dhe përshkrimet e shërbimeve të regjistruara që mund të jenë lëndë të shërbimit elektronik.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Gjykata Supreme do të ketë qasje të drejtpërdrejtë elektronike në bazat e të dhënave të cilat i udhëheq MPB për shtetësi, për automjete motorike dhe vendbanim dhe qëndrim. Këto të dhëna të pranuara përmes platformës për ndërveprueshmëri me shërbimet e shënuara më lart, do të përdoren ekskluzivisht për nevojat e procedurave gjyqësore.
MPB-ja nga ana e saj me këtë marrëveshje do të ketë qasje në bazat e të dhënave për certifikata të evidencës ndëshkuese të personave fizikë dhe juridikë, certifikata në evidencën penale, certifikata për ndalesën e shqiptuar për kryerjen e një veprimtarie ose detyre dhe vërtetime për heqjen e aftësisë afariste dhe këto të dhëna mund të përdoren për procese aktive dhe për nevojat e ministrisë.
Ky proces është pjesë e prioritetit strategjik të digjitalizimit të proceseve dhe të shërbimeve që ka për qëllim mundësimin e institucioneve të ndërlidhura dhe efikase që do të mundësojnë shërbime të shpejta dhe efikase për qytetarët.