Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të enjten se një “krizë e momentit të fundit” me Hamasin është duke e vonuar miratimin e një marrëveshjeje të shumëpritur për ndaljen e luftimeve në Rripin e Gazës dhe për lirimin e dhjetëra pengjeve.
Ndërkohë, bombardimet izraelite i kanë vrarë dhjetëra njerëz të enjten në Gazën e rrënuar nga lufta.
Zyra e Netanyahut tha se kabineti nuk do të takohet për ta miratuar marrëveshjen derisa Hamasi të tërhiqet, pasi e akuzoi grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE se po shkel pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të fituar më shumë koncesione.
Izzat al-Rashq – zyrtar i lartë i Hamasit, tha se grupi militant është “i përkushtuar ndaj marrëveshjes për armëpushim, e cila u bë e ditur nga ndërmjetësit”.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe ndërmjetësi kryesor, Katari, njoftuan të mërkurën për arritjen e marrëveshjes, e cila parasheh lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite në Gazë dhe ndaljen e luftës 15-mujore, që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe ka nxitur protesta në gjithë botën.
Më herët, zyra e Netanyahut e akuzoi Hamasin se u tërhoq nga një mirëkuptim i mëparshëm që do t’i mundësonte Izraelit të vendoste se cilët të burgosur të dënuar për vrasje mund të liroheshin në këmbim të pengjeve.
Netanyahu është përballur me trysni të madhe brenda vendit për t’i kthyer në shtëpi dhjetëra pengje që po mbahen në Gazë, por partnerët e ekstremit të djathtë në koalicionin e tij kanë kërcënuar se do ta rrëzojnë qeverinë e tij, nëse ai bën shumë lëshime.
Ndërkohë, bombardimet izraelite gjatë ditës së fundit kanë vrarë së paku 48 njerëz, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë. Rreth gjysma e të vrarëve ishin gra dhe fëmijë, tha për Associated Press Zaher al-Wahedi, kryetar i departamentit për regjistrim në këtë Ministri.