Neymar (32) ka konfirmuar se do të nënshkruajë me Santos të enjten përmes rrjeteve sociale, duke u rikthyer te klubi ku filloi karrierën e tij, pas prishjes së kontratës me Al Hilal në Arabinë Saudite.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Neymar konfirmoi atë që ishte pritur prej kohësh: ylli brazilian po rikthehet te Peixe.

Ai e nisi mesazhin e tij duke thënë:

“Nuk mund të prisja deri nesër, familja dhe miqtë e mi tashmë e dinë vendimin tim. Do të nënshkruaj një kontratë me Santosin. Dua të falënderoj tifozët nga e gjithë bota që e kanë dëshiruar kaq shumë këtë moment.”

“Kanë kaluar pothuajse 12 vjet që kur u largova nga Vila më e famshme në botë, por ndjenja ime për klubin nuk ka ndryshuar kurrë.”

Numri 10 më pas foli për dy vitet e pafat te Al Hilal nën drejtimin e Jorge Jesus, ku ai pësoi një dëmtim serioz dhe luajti shumë pak ndeshje.

“Kam kaluar një kohë të mrekullueshme në Riad, Arabia Saudite më priti në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe isha shumë i lumtur atje. Por pësova një dëmtim shumë serioz që më pengoi të shpërbleja atë dashuri në fushë, ashtu siç do të doja.”

“Do të mbështes Kupën e Botës 2034, sauditët e meritojnë atë, por unë kam nevojë të luaj përsëri. Vetëm një klub si Santos mund të më japë dashurinë që më nevojitet,” tha ai.

Ai e mbylli fjalimin me fjalët:

“Të gjithë ju, pavarësisht se cilin klub mbështesni, e dini për çfarë po flas. Shpresoj që të jeni me mua në këtë fazë të re. Jam mirënjohës për të gjithë ata që më kanë mbështetur edhe në momentet më të vështira, të cilat kanë qenë të shumta.

“Jam i lumtur vetëm kur luaj futboll, është gjëja që dua më shumë në jetë. Është një krenari që nuk mund ta ketë çdokush.”

Vlen të përmendet se Santos kishte planifikuar prezantimin e Neymarit për të shtunën, ditën kur ata luajnë kundër Sao Paulo në Vila Belmiro.

Klubi kishte planifikuar ta prezantonte atë në Sao Paulo, ku ai do të zbarkonte, por për shkak të një vonese burokratike në largimin e tij nga Arabia Saudite, ata ndryshuan planet.