Në Gjykatën Themelore të Prishtinës  ka nisur seanca fillestare në lidhje me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Para turpit gjykues është deklaruar Naim Murseli i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai u shpreh se është shtetas i Kosovës dhe Suedisë dhe se është i ve pasi që i është vrarë gruaja.

“Jam shtetas i Kosovës dhe Suedisë. Nuk jam i martuar pasi që e kam gruan të vrarë. Gjendja ekonomike e mesme”, tha Murseli, raporton Telegrafi.

Gjyqtarja tha që e kanë njoftu ambasadën e Suedisë në lidhje me mbajtjen e seances së sotme.

Për këtë rast të akuzuar përveq Naim Murselit, janë edhe Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj katër të akuzuarve.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.