Niveli alarmant i lartë i ndotjes së ajrit në Maqedoni është matur mbrëmë rreth orës 22:00. Stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë treguar nivel të lartë të grimcave të rrezikshme PM 10 në disa qytete, përfshirë kryeqytetin Shkup, transmeton Portalb.mk.

Janë matur 238 mikrogramë për metër kub, që është disa herë mbi kufirin e lejuar sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më e ndotura ka qenë Kërçova ku janë matur mbi 378 mikrogramë për metër kub.

Ndotje të lartë të ajrit mbrëmë ka pasur edhe Ohri, ku janë matur rreth 277 mikrogramë. Nga qytetet e tjera me ndotje të lartë dallohen Gostivari ku janë matur 175 mikrogramë për m3 dhe Tetova 147.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar mbrëmë se në Strumicë do të jenë në fuqi masa të posaçme për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve, pasi sipas të dhënave nga Sistemi shtetëror për monitorim automatik të cilësisë së ajrit të ambientit dhe parashikimit të motit të pranuar nga Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike, gjatë dy ditëve radhazi është tejkaluar pragu i alarmit të grimcave me përmasa deri në 10 mikrometra.

Alarme të njëpasnjëshme nga raportet vendore dhe ndërkombëtare për ndotjen e ajrit
Në janar 2025 një raport i Euronews theksoi se Maqedonia e Veriut është një ndër vendet më të prekura nga ndotja e ajrit, që do të thotë se ka numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e ajrit të ndotur.

Raporti i UNICEF-it në shtator 2024 tregoi se në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare.

Banka Botërore në dhjetor 2024 raportoi se ndotja e ajrit vret rreth 2800 qytetarë të vendit në vit, ndërsa banorët e Shkupit dhe Tetovës janë të ekspozuar ndaj niveleve dukshëm më të larta të grimcave toksike PM 2.5, krahasuar me qytetarët në vendet e Evropës Perëndimore.

Raporti i Institutit për Shëndet Publik i publikuar në 2024 nxori në pah se në 2023 pothuajse 18 përqind e mortalitetit të përgjithshëm në RMV mund t’i atribuohet ekspozimit ndaj përqendrimeve aktuale të grimcave PM-2.5.

Ndota e ajrit është përmendur vazhdimisht edhe nga BE-ja si problem kronik për RMV-në.

Shkupi shumë herë është radhitur në krye të listave të qyteteve më të ndotura në Evropë dhe Botë. Për shkak të ajrit të ndotur janë mbajtur edhe protesta.

Të gjithë këto alarmime nuk kanë mjaftuar që politikanët dhe institucionet në RMV të marrin masa urgjente për këtë problem.