Paga e presidentit të SHBA-së mbetet e pandryshuar për më shumë se 20 vite, duke u përcaktuar në 400,000 dollarë në vit, sipas ligjit të SHBA-së.

Kjo do të thotë se Donald Trump, si president i SHBA-së, do të marrë të njëjtën pagë si paraardhësit e tij.

Por kjo nuk mbaron këtu, kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë do të marrë gjithashtu 50,000 dollarë për shpenzime, 100,000 dollarë për udhëtime dhe 19,000 dollarë për argëtim.

Paga e presidentit është rritur vetëm një herë midis viteve 1969 dhe 2001, kur u dyfishua nga 200,000 në 400,000 dollarë.

Në anën tjetër, ish-presidentët amerikanë vazhdojnë të përfitojnë pension edhe pas përfundimit të mandatit, me një pagesë vjetore që aktualisht arrin mbi 200,000 dollarë. Ata gjithashtu mund të përfitojnë përmes angazhimeve publike, kontratave me mediat dhe aktiviteteve të tjera fitimprurëse.

Gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump vendosi ta dhuronte pagën e tij presidenciale për qëllime bamirësie, duke ndihmuar organizata dhe kauza të ndryshme gjatë kohës që ishte në detyrë.