Organizata joqeveritare malazeze, Instituti Alternativa, pas një aksioni të suksesshëm në Kroaci, u ka bërë thirrje qytetarëve që më 31 janar të bojkotojnë supermarketet dhe dyqanet.
– Të premten bëjmë thirrje për bojkot të supermarketeve dhe dyqaneve në Mal të Zi, pa përjashtim, sepse kjo nuk ka asnjë lidhje me politikën. Çmimet e larta prekin në mënyrë të barabartë të gjithë qytetarët, thuhet në njoftim.

Organizata thekson se çmimet janë jashtëzakonisht të larta dhe se zinxhirët kryesorë tregtarë bien dakord për çmimet, duke bërë që qytetarët të mos e ndiejnë rritjen e pagave dhe pensioneve.
– A mund ta lëmë politikën mënjanë për një ditë, të mos përçahemi, të jemi të gjithë bashkë, t’u tregojmë atyre se ne jemi ata që vendosim, thuhet në njoftimin e Institutit Alternativa.