Ajri i ndotur është i dëmshëm për të gjithë njerëzit, madje edhe për kafshët. Kështu thotë pulmologu, Dejan Dokiq. Sipas tij pasojat e ndotjes i vuajnë edhe njerëzit e shëndoshë, por më së shumti pacientët me sëmundje të mushkërive. Në këtë grup më të rrezikuarit janë fëmijët dhe personat e moshuar. Këta pacient gjatë ndotjes së ajrit kanë frymëmarrje të rënduar, dhimbje dhe fishkëllim të gjoksit, kollitje si dhe teshtima.

“Mund të kenë pasoja njerëzit e shëndoshë, por sigurisht më shumë ata që janë të sëmurë nga sëmundjet e mushkërive, siç është astma, bronkiti kronik, por edhe ato me sëmundje kardio vaskulare. Sigurisht që grupi më vulnerabël janë fëmijët dhe pacientët e moshuar, sidomos nëse janë të sëmur nga këto sëmundjet e lartpërmendura”, tha Dejan Dokiq, pulmolog.

Gjatë periudhës së ndotjes së ajrit Klinika e Pulmologjisë ka qenë e mbushur me pacientë që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, pasi ajri i ndotur u hap rrugën edhe viruseve të tjera.

“Klinika është e stërmbushur me pacientë që kanë sëmundje kronike obstruktive. Pothuajse të gjitha vendet ishin të zëna nga pacientët kronikë që kanë përkeqësime akute. Dua të them se ajri i ndotur vepron ashtu që në një farë mënyre lehtëson hyrjen e viruseve, kështu që ndodh një infeksion i kombinuar nga ndotja e ajrit”, tha Dejan Dokiq, pulmolog.
Pulmologu Dokiq thotë se çdo kush duhet të mbrohet në mënyrë individuale nga ajri i ndotur. Fëmijët dhe të moshuarit që kanë sëmundje të mushkërive duhet të reduktojnë daljet kur ajri është i ndotur, dhe të mbajnë maska gjatë daljeve të tyre. Ai gjithashtu apelon edhe për ecje të shpeshta nëpër male.