Ka dhënë dorëheqje Nusret Sinani, kuadër i koalicionit VLEN, i cili mbante pozicionin e Ndihmës Drejtorit të Policisë së Uniformuar.

Sipas burimeve të afërta, arsyeja kryesore për këtë vendim është mos përfillja e tij nga ana e Drejtorit të Byrosë për Siguri Publike, si dhe mungesa e hapësirës për të ushtruar detyrat e tij të punës, për shkak të pamundësisë së zëvendësministrit për t’i dhënë mbështetjen e nevojshme.

Sinani, i cili ishte paralajmëruar disa herë për këtë situatë, ka shprehur pakënaqësi ndaj mungesës së komunikimit dhe bashkëpunimit institucional.

Ai ishte emëruar në këtë pozitë para dy muajve me urdhëresë zyrtare dhe konsiderohej një kuadër i afërt me Lidhjen Demokratike (LD).

Dorëheqja e tij vjen në një kohë kur raportet brenda strukturave të policisë po përballen me sfida të mëdha dhe mungesa e koordinimit vazhdon të jetë një problem i theksuar.

Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Drejtoria e Byrosë për Siguri Publike apo nga zëvendësministri për situatën.

Rasti pritet të tërheqë vëmendje të gjerë, duke ngritur pikëpyetje mbi funksionimin dhe organizimin e brendshëm të institucioneve të sigurisë në vend.