E diela mbrëma do të jetë vështirë të harrohet për Real Madridin, i cili e pësoi një humbje shkatërruese me rezultat 2:5 nga rivali historik Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës.

Në natën e cila mund t’i drejtonte ata drejt trofeut të tretë sezonal, “Los Blancos” u rikthyen nga Arabia Saudite duarthatë dhe me një humbje turpëruese nga “armiqtë e përbetuar”, nga të cilët i kanë pësuar hiç më pak se 9 gola në dy “El Clasicot” e këtij sezoni.

Dhe, kjo ka bërë që hierarkia e Realit të kërkojë takim me trajnerin Carlo Ancelotti.

Mediumi spanjoll “Marca” raporton se presidenti Florentino Perez dhe shefi ekzekutiv i klubit, Jose Angel Sanchez do të takohen me trajnerin Ancelotti në ditët në vazhdim, përcjell “Gazeta Express”.

Drejtuesit e klubit do të ulen dhe të bisedojnë me trajnerin për ta analizuar se çka shkoi keq në finale të Superkupës ndaj Barcelonës dhe të mundohen të gjejnë zgjidhje për problemet e shfaqura.

Sa i përket trajnerit Ancelotti, i cili ka kontratë deri në vitin 2026, nuk do të ketë vendim drastik për të, përkundër rezultatit të përgjithshëm 2:9 ndaj Barçës në dy “El Clasicot” e fundit, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha.

Në nivelin e klubit, ajo që ka ndodhur është e vështirë për t’u kapërdirë dhe do të jenë disa ditë reflektimi dhe për kalimin eventual të kësaj situate ekstreme.

Mënyra se si ekipi luajti dhe se si humbi nga Barcelona në dy ndeshjet e fundit e ka lënduar tej mase presidentin Perez, ndërsa do të ketë diskutime për ta gjetur problemin dhe për të bërë zgjidhje.

Mundësitë për t’u futur në “Pazar” për një mbrojtës të djathtë janë më të mëdhatë, ndërsa nuk do të ketë përforcime në qendër të mbrojtjes në janar.

Sidoqoftë, Real Madridi duhet ta kthejë fokusin tek ato që i ka përpara e jo të shikojë prapa tek humbja demoralizuese e së dielës, pasi i pret një ndeshje e rëndësishme në Copa del Rey.