Nga e premtja më 3 janar dhe gjatë fundjavës një valë polare me origjinë nga Arktiku do ta përfshijë pjesën më të madhe të Ballkanit, që do të ndikojë në uljen e ndjeshme të temperaturave edhe në vendin tonë.
Sipas MeteoAlarm, gjatë natës së të premtes dhe të shtunën do të ketë fillimisht reshje shiu kurse më pas, për shkak të depërtimit të valës së ftohët ajrore dhe erës veriore, do të kalojnë në të borës edhe në mjediset urbane në pjesët veriperëndimore të vendit.
MeteoAlarm njofton se reshjet e borës dhe era e fuqishme në formë të stuhisë dimërore, do të përfshihë pjesën më të madhe të Ballkanit, kurse gjatë fundjavës, krahas rritjes së trashësisë së dëborës, temperaturat minimale do të shkojnë nga minus 12 deri në minus 20 gradë Celsius.
Gjatë fundjavës, do të ketë rritje të dukshme të trashësisë së dëborës, në viset malore dhe qendrat e skijimit në vend.
Pas paralajmërimeve për përkeqësimin e motit për ditët në vijim, agrometereologët, teksa pohojnë se reshjet janë të mirëseardhura për rritjen e kapaciteteve të ujrave, rekomandojnë të ndërmerren masa preventive për të përforcuar serat dhe konstruksionet tjera.