Piktura 15 milionë dollarëshe e Van Goghut, ishte blerë për 50 dollarë nga një koleksionist antikitetesh
Një pikturë e panjohur më parë e piktorit të famshëm Vincent van Gogh, që vlerësohet me 15 milionë dollarë, ëshë zbuluar se është blerë nga një koleksionist antikitetesh për më pak se 50 dollarë, në një shitje garazhi në Minnesota, raporton The New York Post.
Një artikull i publikuar nga ArtNews.com dhe i raportuar nga mediat ndërkombëtare, tregon se ekspertët analizuan pikturën dhe e identifikuan si vepër të panjohur më parë të Van Goghut.
Ky informacion është përhapur edhe në media të tjera, duke përfshirë The Wall Street Journal, ku Maxwell Anderson, një kurator i njohur i artit, diskutoi gjetjen e pikturës dhe procesin e verifikimit të saj.
LMI Group International, që bleu veprën nga koleksionisti anonim i antikiteteve për një shumë të pazbuluar në vitin 2019, ka qenë firma që ka zbuluar dhe verifikuar autenticitetin e pikturës.
Sipas ekspertëve piktura në fjalë, e krijuar në vitin 1889, tregon një peshkatar që konsumon duhan dhe është realizuar në të njëjtin vit kur Van Gogh pati krijuar veprën e tij të famshme “The Starry Night”.
Piktura, e cila u ble disa vjet më parë për një shumë të vogël, tani konsiderohet një zbulim i rëndësishëm. Një ekip prej rreth 20 ekspertësh, përfshirë Maxwell Anderson, ish-kurator në Muzeun e Metropolitan të Artit, ndihmoi në verifikimin e veprës.
Anderson ka thënë për The Wall Street Journal se ishte “i mahnitur nga ajo që pa”, duke shtuar se vijat e buzëqeshjes që rrethojnë fytyrën e peshkatarit ishin shumë të ngjashme me stilin e vizatimit të Van Goghut dhe se një fije e kuqe floku e ngulur në ngjyrën e pikturës përputhej me ngjyrën e flokëve të artistit.
Ekspertët gjithashtu e krahasuan ngjyrën e kuqe në pikturë me një markë ngjyrash që përdorej në jug të Francës në fundin e shekullit të 19-të.
Vepra paraqet peshkatarin me mjekër të bardhë, duke riparuar rrjetën e tij pranë një bregu të shkretë, dhe ka mbishkrimin “Elimar” të shkruar në këndin e poshtëm të djathtë.
Sipas raportit, të firmës kërkimore të artit, LMI Group, Van Gogh e pikturoi personin e quajtur Elimar në vitin 1889, gjatë vitit të tij të parë në sanatoriumin në jug të Francës, ku kishte shkuar për shkak të problemeve me shëndetin mendor.
Firma ka zbuluar se kjo pikturë kishte një ngjyrë që njihet si “e bardha veze”, të cilën Van Gogh e ka përdorur për t’i mbrojtur krijimet e tij. Ky detaj ishte një tjetër tregues i rëndësishëm që sugjeronte se piktura ishte autentike, pasi kjo teknikë ishte tipike për stilin e Van Goghut dhe përdorej për të ruajtur ngjyrat dhe materialet e përdorura në pikturat e tij.
“Kjo ngjyrë pasqyron temën e shpëtimit që Van Gogh e trajtonte shpesh në letrat dhe veprat e tij. Përmes Elimar, Van Gogh pati krijuar një lloj autoportreti shpirtëror, duke u dhënë mundësi shikuesve të shohin piktorin ashtu siç ai dëshironte të mbahej mend”, ka thënë Anderson.
LMI Group, me qendër në New York, e cila bleu pikturën në vitin 2019, punoi me një ekip ekspertësh që përfshinte konservatorë, shkencëtarë dhe historianë për të vërtetuar autenticitetin e saj.
Piktura duhet të miratohet nga Muzeu Van Gogh në Amsterdam për t’u njohur zyrtarisht si një vepër autentike e artistit.