Deputetja e Aleancës për shqiptarët – krahu i Selës, Ilire Dauti ka treguar arsyet e dorëheqjes nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, përcjell TV21. Dauti tha se, me dorëheqjen e saj po zgjedh të jetë e lirë dhe e pakushtëzuar duke mbrojtur vlerat e demokracisë.

“Po zgjedh të veproj e lirë, e pakushtëzuar, për të mbrojtur vlerat bazë të demokracisë siç është liria dhe barazia pa mos u zmbrapsur aspak por duke u ripozicionuar për të njëjtin qëllim. Unë këtë rrugë zgjodha edhe kur në mandatin e kaluar na u vërsulët Aleancës për Shqiptarët dhe mua, njëherë kur sollëm ligjin për shtetësi, që ashtu siç e dini, duke shfrytëzuar mekanizmat demokratik bllokuam kuvendin, me mijëra amendamente por bëmë që ligji të miratohet. Dhe unë këtë rrugë zgjodha edhe kur u kritikova edhe kërcënova nga deputetët e VMRO-së se jam duke keqpërdorur rregulloren ku përmes mekanizmit të pyetjeve së deputetit, kërkoja implementim të ligjit për shtetësi”, tha Ilire Dauti.