Më 02.01.2025, rreth orës 16:00, në SPB Shkup është raportuar se në një rrugë lokale Saraj-fshati Rashçe, një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Vardar.
Menjëherë në vendin e ngjarjes u drejtuan forcat policore, Ndihma e Shpejtë dhe prokurori publik. Rreth orës 21:00, oficerët e policisë nga njësia speciale SAE “Tigar” nxorën nga ujërat e lumit Vardar automjetin “Audi” me targa të Shkupit, ku u gjetën trupat e pajetë të tre femrave: N.A. (23), V.A. (25) dhe Z.A. (59), të gjitha nga fshati Gërçec, rajoni i Shkupit.
Një mjek nga Ndihma e Shpejtë konstatoi vdekjen, ndërsa, me urdhër të prokurorit publik, trupat e të ndjerave u dërguan për autopsi.
Në aksident ka mbetur i lënduar një fëmijë katërvjeçar, pasagjer në automjet, me lëndime të konstatuara në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Po ashtu, vijojnë kërkimet për A.A. (56) nga fshati Gërçec, rajoni i Shkupit, i cili, sipas dëshmive të familjarëve, ka qenë në automjet para se të dilte nga rruga.
Inspektimi është kryer nga një prokuror publik dhe një ekip hetimor i SPB Shkup, ndërsa ekipet e SPB Shkup dhe Departamenti për Operacione Policore Speciale, me kërkime fizike dhe dy drone të përdorur nga njësiti special “Tigar” dhe Njësia për Vendosje të Shpejtë, po marrin masa dhe veprime për gjetjen e personit.