Policia franceze arreston 37 persona për pornografi të fëmijëve në internet, sekuestruarohen mbi një milion materiale abuzive
Një hetim i gjerë në Francën lindore ka çuar në arrestimin e 37 personave të dyshuar për shkarkimin dhe shpërndarjen e pornografisë së fëmijëve. Sipas xhandarmërisë në rajonin Bourgogne-Franche-Comté, gjatë operacionit u zbuluan më shumë se një milion foto dhe video të përmbajtjeve abuzive.
Hetimi, i cili filloi në nëntor, përfshiu 270 xhandarë, përfshirë 36 hetues të specializuar në krimin kibernetik. Si pjesë e rastit, autoritetet sekuestruan 60 kompjuterë, 290 hard disk, 27 telefona celularë, tetë tableta dhe katër kamera. Në disa lokacione u gjetën gjithashtu armë dhe drogë.
Ky është operacioni i dytë i madh në rajon brenda dy viteve. Në mars 2023, 17 persona u arrestuan për akuza të ngjashme.
Franca ka ashpërsuar ligjet kundër pornografisë, duke vendosur që platformat online të kenë vetëm 24 orë për të hequr përmbajtjet abuzive pas raportimeve nga policia. Shkelësit përballen me burg dhe gjoba të rënda, ndërsa platformat duhet të zbatojnë masa verifikimi të moshës për të mbrojtur të miturit.
Këto masa vijnë në sfondin e një debati të gjerë në Evropë mbi skanimin e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në platforma të koduara, çështje që ka ngjallur tensione midis nevojës për mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimit të privatësisë në internet. Në të njëjtën kohë, raportime të fundit kanë ngritur shqetësime për rritjen e përmbajtjeve abuzive të krijuara nga inteligjenca artificiale.