Politikani i djathtë nga Portugalia, Miguel Arruda, është akuzuar për vjedhje valixhesh në disa aeroporte, për këtë arsye është përjashtuar nga partia e tij Chega.

Policia portugeze e mori në pyetje Arrudën në aeroportin e Lisbonës të martën dhe e akuzoi për vjedhje bagazhesh, pasi dyshohet se disa nga valixhet e humbura u gjetën në shtëpinë e tij, raporton “The Guardian“.

Politikani 40-vjeçar mohoi akuzat dhe tha se po “kryqëzohet në shesh publik”, duke shtuar se është “i pafajshëm derisa të provohet fajësia”.

Arruda vendosi të mbetet në parlament si deputet i pavarur dhe kërkoi heqjen e imunitetit deputet.

Gjatë seancës së sotme parlamentare, deputetët e ish-partisë së tij e kanë sharë, ndërsa kryetari i Kuvendit, José Pedro Aguiar-Branco e ka urdhëruar që të ulet në pjesën e sallës së rezervuar për deputetë të pavarur.

Sipas raporteve të mediave lokale, policia ka pamjet e kamerave të sigurisë që dyshohet se tregojnë Arruda duke marrë valixhen e tij dhe një tjetër më të vogël nga rripi i transportit të bagazheve, të cilat më pas e vendosi në valixhen e tij.

Arruda pretendon se pamjet mund të gjenerohen nga inteligjenca artificiale.

Disa media theksojnë se Aruda ka shitur përmbajtjen e valixheve të vjedhura në internet.