Edhe në përurimin e rrugës Gracko-Drenovë mesazhet politike ishin theksi kryesorë i kryeministrit të vendit, Hristian Mickoski.

Sipas Mickoskit, parimi “kako do sega” që ishte si sllogan i Qeverisë së kaluar ka përfunduar dhe tani kjo Qeveri po dëshmon me vepra se si duhet vendi.

“Krijojmë kushte më të mira për qytetarët dhe në këtë mënyrë do të vazhdojmë të punojmë sepse vetëm kështu do të tregojmë se parimi “kako do sega” ka përfunduar dhe ka mbetur në një anë tjetër të së kaluarës sonë dhe se tani është momenti kur ne e ndërtojmë shtetin dhe në këtë mënyrë Maqedonia e do veten me vepra dhe Maqedonia do të jetë sërish krenare” – tha Mickoski.

Foli edhe për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d, projekte këto të nisura nga Qeveria e kaluar.

“Vazhdojmë me ndërtimin e Korridorit 8, me dinamikë të theksuar, ndërtimi ishte duke u zhvilluar deri para se të binte bora në autostradën që do të lidhë Kërçovën me Ohrin. Pres që seksioni nga Vrbjani deri në Ohër, ndoshta me një përjashtim të vogël në Botun, të hapet në fillim të këtij sezoni turistik dhe ai seksion të mbyllet plotësisht deri në fund të vitit 2026” – tha kryeministri.

Kujtojmë, para se të vinte në Qeveri, kryeministri Mickoski po edhe partia që ai përfaqëson për ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10d e cilësonin si vjedhje historike, ndërsa me të hyrë në Qeveri ndryshuan retorikë dhe tani për Qeverinë, ndërtimi i këtyre Korridoreve është historik dhe jetik.