Edhe pse u hodh poshtë menjëherë dhe u dënua gjerësisht, propozimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’i zhvendosur palestinezët nga Rripi i Gazës në vendet fqinje, po vazhdon të diskutohet, çka tregon se ideja me gjasë, nuk është varrosur plotësisht.

Zhvendosja e detyrueshme e 2.3 milionë banorëve të Gazës drejt Egjiptit dhe Jordanisë mund të destabilizojë rajonin dhe të shkatërrojë çdo shans për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez, thonë ekspertët.

Por, propozimi gjithashtu mund ta zhvendosë përgjegjësinë tek aleatët e SHBA-së në rajon për të dalë me një zgjidhje për një nga konfliktet më të ndërlikuara në botë, vlerësojnë njohësit. Sanam Vakil nga institute britanik Chatham House u shpreh se “Trumpi po merr pozicionin më ekstrem mbi një çështje jashtëzakonisht të ndjeshme si pjesë e një negociate më të gjerë për Gazën dhe Izraelin”.

“Duke vënë nën presion aleatët kyç të SHBA-së, të cilët janë realisht të varur nga ndihma dhe siguria amerikane, ai shpreson të arrijë qëllimin e tij për ndarjen e barrës”, mendon Vakil. Uashingtoni ka mbështetur për dekada të tëra një zgjidhje me dy shtete që do të krijonte një shtet të pavarur palestinez përkrah Izraelit. Por procesi u bllokua nga dallimet e thella mes izraelitëve dhe palestinezëve mbi kufijtë, vendbanimet dhe statusin e Jerusalemit.

Palestinezët, gjithashtu, këmbëngulin që çdo shtet i ardhshëm palestinez duhet të përfshijë Rripin e Gazës, gjë që e bën propozimin e Trumpit shqetësues jo vetëm për kritikët, por edhe për aleatët e SHBA-së, përfshirë Gjermaninë.