Shumë organizata joqeveritare , duke përfshirë grupe ambientaliste vendosën të largohen nga X më 20 janar ditën e inaugurimit të presidentit të zgjedhur të SHBA-së Donald Trump.

Këto organizata mjedisore si “Greenpeace”, “Miqtë e Tokës” dhe “Ekologët në Veprim” deklaruan se janë në mesin e qindra organizatave dhe mijëra njerëzve që do të largohen nga platforma.

Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Spanjolle, është ndër shumë organizatat tjera që do të bëjë të njëjtën të hënën.

Në një deklaratë, grupet akuzuan miliarderin Elon Musk se e bëri platformën X “një rrezik për demokracinë” duke promovuar diskurse të bazuara në idetë e së djathtës ekstreme dhe duke ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të tjera si në Gjermani.

“Platformat e mediave sociale nuk kanë qenë kurrë perfekte, por qëndrimi i X është i papranueshëm për një platformë të mediave sociale ku pozicionet e ndryshme duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë”, shtuan ata.

Miliarderi amerikan i cili do të shërbejë si këshilltar i presidentit Trump, është kritikuar ashpër për ndërhyrjen e tij në politikën evropiane përmes platformës së tij.

Ai ka bërë komente të diskutueshme në lidhje me çështjet politike të vendeve evropiane, duke përfshirë Italinë Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe ndërsa është kritikuar gjithashtu nga struktura politike gjermane për mbështetjen për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) përpara zgjedhjeve të parakohshme në Gjermani që do të mbahen në shkurt.

Musk, shef ekzekutiv i kompanive Tesla dhe SpaceX, bleu Twitter-in për 44 miliardë dollarë në 2022 dhe ndryshoi emrin në X vitin e ardhshëm.