Viti 2024, mes tjerësh karakterizohet edhe për dukurinë e migrimit ditor të shumë shtetasve të Shqipërisë në Dibër dhe rajon. Mungesa e krahut të punës në Maqedoni është prezente në pesë vitet e fundit, po këtë vit mungesa ka zënë përmasa të mëdha në shumë sfera të jetës. Pikërisht kjo situatë ka ndikuar që në sferën e ndërtimtarisë, bujqësisë dhe hotelerisë të angazhohen shtetasit e Shqipërisë, pa të cilët biznesi nuk do të realizonte aktivitetet ashtu siç kishin të planifikuar. Investitorët nga Dibra, por edhe nga komuna rurale Qendër Zhupë dhe Mavrovë Rostushë, pa angazhimin e punëtorëve nga Shqipëria, nuk mund të realizonin planet e tyre.
Angazhimi më i madh i punëtorëve nga Shqipëria është në sferën e ndërtimit. Investitorët në këtë sferë thonë se angazhimi i krahut të punës nga viset kufitare të Shqipërisë ka një domethënie shumë të madhe në realizimin e projekteve të tyre. Duke marrë parasysh ndërtimet e shumë banesave kolektive, por edhe shtëpive individuale, prania e mjeshtërve nga qytetet dhe fshatrat përtej kufirit ka mundësuar që të mos ndalen punët e kontraktuara me blerësit, meqë migrimi masiv i dibranëve dhe banorëve nga Zhupa dhe Reka ka qenë shumë i madh, sidomos drejt Italisë dhe Gjermanisë. Përveç ndërtimit, një prezencë të madhe të krahut të punës ka edhe te punët hidraulike, elektricistë, si dhe punëtorëve ndihmës. Petrit F. nga Peshkopia është murator, dhe mbi 2 dekada merret me këtë profesion. Ai thotë se në Dibër dhe rajon, tani më 8 muaj punon në sferën e ndërtimit.
“Jam i kënaqur nga paga ditore, por edhe nga trajtimi i biznesmenëve që realizojnë punimet. Në Dibër ndërtohet shumë, sidomos banesa kolektive. Para se të vijë në Dibër, së bashku me disa shokë të mi, po ashtu muratorë, kam punuar tre javë edhe në disa fshatra të Zhupës”, tregon për KOHA, Petriti 45-vjeçar. Ai shton se udhëton për çdo ditë nga Peshkopia në Dibër, meqë dy qytetet janë shumë afër. Takuam edhe Esat R. nga fshati Trebisht, zona e Gollobërdos së Shqipërisë. Ai po ashtu është një punëtor ndërtimi, dhe thotë se në Dibër punon më shumë se 5 muaj. Merret me punë ndërtimore që kanë të bëjnë me vendosjen e pllakave dekorative në hapësirat e brendshme. Është i kënaqur nga paga ditore dhe për çdo ditë vjen në Dibër, meqë nga fshati i tij Trebishti është shumë afër Dibrës.
Fermerët dibran po ashtu kanë angazhuar shtetas shqiptarë si në fermat e tyre, ashtu edhe si barinj në kullosa. Në një fermë në Dibër është i angazhuar një banor i fshatit kufitar Gjuricë të Shqipërisë. Është S.E. i cili thotë se paga e tij mujore është 700 euro të pastra, plus ushqimi dhe banimi. Fermeri dibran, i cili deshi të mbetet anonim, na tha se ai është i angazhuar për afër një vit.
“Për ne si fermerë, pa angazhimin e punëtorëve në bujqësi nga Shqipëria nuk do të mundemi ti realizojmë obligimet në sferën e blegtorisë”. Gjatë vitit 2024 , shtetas shqiptarë pati të angazhuar edhe në sferën e hotelerisë, e sidomos në restorante dhe kateteri. Kamerierët lokal mungojnë, por mungojnë edhe punëtorë për mirëmbajtje në restorantet dhe kafiteritë. Ka të rinj nga viset kufitare të Shqipërisë të cilët janë angazhuar edhe në këtë sferë. Prandaj biznesmenët dibranë, por edhe ata të Zhupës dhe Rekës potencojnë se viti 2024 është viti i “Migrimit Ditor”, pa të cilin nuk mund të realizoheshin shumë aktivitete në Dibër dhe rajonin më të gjerë. Duhet theksuar se ka edhe dibranë që janë angazhuar në restorantet e viseve kufitare të Shqipërisë si kuzhinierë dhe picajollë, të cilët udhëtojnë çdo ditë për të punuar në restorantet shqiptare. (koha.mk)