Një burrë kokëfortë që nuk pranoi ofertën prej mbi 200 mijë dollarësh për t’u larguar nga shtëpia e tij për shkak të një projekti shtetëror, tashmë është rrethuar në banesë nga një autostradë, shkruan A2 CNN.

Ngjarja ka ndodhur në qytetin kinez Jinxi, ku sipas “Daily Mail”, çatia e shtëpisë është në një nivel me autostradën që i kalon nga të dy krahët. Burri, i identifikuar si Huang Ping, jeton aty me nipin e tij 11-vjeçar. Ai tregon se tani e kalon ditën në qendër të qytetit për të shmangur punimet rreth shtëpisë së tij dhe kthehet vetëm kur mbarojnë punimet për ditën.

Autostrada nuk është hapur ende për publikun, por Ping është penduar që tani për zgjedhjen që bëri. “Nëse do të mund të ktheja kohën mbrapsht, do të kisha pranuar kushtet që më ofruan”, citohet të ketë thënë ai. “Më duket se e humba bastin. Jam penduar”.

Vendimi për të ndërtuar vepra infrastrukturore rreth shtëpive të personave që nuk pranojnë të largohen është i zakontë në Kinë. Këto shtëpi quhen nga vendasit “dingzhius”, ose “shtëpi gozhdë”.

Ato konsiderohen shpesh si përballja mes individit dhe autoriteteve dhe pasqyrojnë konfliktin mes traditës dhe progresit në Kinë.