Revista e njohur amerikane “Foreign Policy” ka bërë një analizë kthimit të Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe domethënien e tij për shtetet e Ballkanit.

“Teksa shumëkush në rajon i frikësohet animit drejt nacionalistëve serbë, transaksionalizmi i administratës së re amerikane mund të befasojë të gjithë”, shkruan revista e njohur amerikane.

Krejt diskutimet në Washington për qasjen e administratës së Trumpit në çështjet globale lidhen me Ukrainën, Kinën, Lindjen e Mesme dhe së fundmi Grenlandën, ka pak biseda për Ballkanin Perëndimor.

“Ndërrimi i qasjes në politikën e jashtme amerikane për këtë rajon mund të lëkund status-quon fragjile që mbretëron atje. Çështjet aktuale të Ballkanit Perëndimor dhe ekuilibri delikat gjeopolitik ia kanë pamundësuar Bosnjë e Hercegovinës rrëshqitjen në luftë civile ndërkaq konflikti i ngrirë mes Serbisë dhe Kosovës ka mbetur i tillë që 26 vjet”, thuhet në analizën e Foreign Policy.

Revista amerikane shkruan se nacionalistët serbë, në veçanti, kanë shpresë në kthimin e Trumpit. Sipas saj, ata janë optimist se administrata e tij do të jetë më e afërt me Beogradin dhe Republika Srpskan në Bosnjë.

“Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Republika Srpskas, Milorad Dodik dëshirojnë që SHBA-ja të jetë kundër qeverive perëndimore dhe institucioneve që e përkrahin fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe strukturën e centralizuar të Bosnjës që ishte krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit në vitin 1995”, shkruan “Foreign Policy”.

Nën pretekstin e mbrojtjes së interesave serbe dhe avancimit të kauzës së bashkimit serb, Dodik ka kaluar vite duke minuar Marrëveshjen e Dejtonit duke penguar institucionet shtetërore të Bosnjës me veprime të ndryshme që janë konsideruar të rrezikshme dhe destabilizuese nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveritë e tjera perëndimore.

“Në terma praktikë, kjo do të nënkuptonte zbutjen e kufizimeve të SHBA-së ndaj serbëve pro-rusë që dëshirojnë bashkimin serb dhe kundërshtojnë sanksionet ndaj Moskës. Këto kufizime dhe presione përfshijnë sanksionet ndaj Dodik dhe ultranacionalistëve, përfshirë Zëvendëskryeministrin serb Aleksandër Vulin, i cili më parë drejtoi Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës së Serbisë dhe njihej për lidhjet e tij me Moskën dhe përndjekjen e zërave kundër Putinit në komunitetin rus të emigrantëve në Serbi”, shkruan “Foreign Policy”.

Për më tepër, administrata e mëparshme e SHBA-së kohët e fundit vendosi sanksione ndaj NIS, kompanisë së naftës dhe gazit të Serbisë, e cila është në pronësi shumicë të Gazprom–it. Nuk është e vështirë të imagjinohet që Trump të lehtësonte presionin mbi Serbinë për marrëdhëniet e saj me Rusinë, ndërsa do të qëndronte i heshtur për çështjet e të drejtave të njeriut në Serbi.

Serbët që besojnë në idenë e “Serbisë së Madhe” pretendojnë toka në ish-Jugosllavi dhe jashtë kufijve të Serbisë moderne. Gjatë viteve 1990, ndjekja e idesë së një Serbie të Madhe nga lideri serb i atëhershëm, Slobodan Milosevic, ishte një faktor kryesor në luftërat që shkatërruan rajonin.

MegjithëseVuçiç ka deklaruar se qeveria e tij nuk ka interes për të ripërcaktuar kufijtë ndërkombëtarë, shumë prej fqinjëve të Serbisë dyshojnë se Beogradi sheh realizimin e Serbisë së Madhe si objektiv afatgjatë. Një deklaratë me 13 faqe e miratuar nga Serbia dhe Republika Srpska në qershor të vitit 2024 përcakton një vizion për dominimin serb që do të rikthente pjesë të Kosovës nën kontrollin e Beogradit dhe do të shkelte sovranitetin e Bosnjës.

Pak kohë pas fitores elektorale të Trumpit në nëntorin e kaluar, Vuçiç pati një telefonatë “shumë miqësore” me të, e ftoi atë në Beograd dhe e lavdëroi për njohuritë e tij mbi “shumë gjëra për Serbinë,” duke theksuar se vlerësimet pozitive për Trumpin në Serbi janë më të larta se në çdo vend tjetër evropian.

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm presidencial për negociatat e paqes mes Serbisë dhe Kosovës nga viti 2019 deri në 2021, ishte një figurë qendrore në ruajtjen e marrëdhënieve miqësore mes Uashingtonit dhe Beogradit gjatë mandatit të parë të Trumpit. Gjatë presidencës së Joe Biden, Grenell vizitoi disa herë Beogradin. Në vitin 2023, Grenell mori dekoratën e flamurit serb, dhe Vuçiç e lavdëroi për “dëshmimin e së vërtetës për ngjarjet në Kosovë dhe rajon.”

“Pavarësisht rolit të Grenellit në administratën e dytë të Trumpit, Kosova ka arsye të jetë e shqetësuar për Trump 2.0. Shtetet e Bashkuara kanë njohur pavarësinë e Kosovës që nga viti 2008, dhe sot shumica e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë pjesën më të madhe të vendeve evropiane—e njohin atë gjithashtu. Por Serbia, Rusia, Kina dhe një listë e gjatë shtetesh kryesisht jo-perëndimore e njohin Kosovën si pjesë të Serbisë”, vlerëson revista.