Të paktën 2 persona humbën jetën ndërsa 19 të tjerë u plagosën si pasojë e rrëzimit të një avioni të vogël mbi kulmin e një fabrike të mobilieve në shtetin e Kalifornisë të SHBA-së, transmeton Anadolu.

Sipas uebfaqes “FlightAware” që ndjek trafikun e fluturimeve, dy minuta pasi ishte nisur nga aeroporti në rajonin Orange County, avioni është rrëzuar mbi kulmin e fabrikës së mobileve në afërsi.

Në aksident, sipas vlerësimeve të para, 2 persona që ndodheshin në avion humbën jetën ndërsa 19 punonjës të fabrikës u plagosën.

Ndaj 8 të plagosurve është bërë ndërhyrje mjekësore në vendin e incidentit ndërsa 11 të tjerë janë dërguar në spital.

Punonjësi i operacioneve të aeroportit, Chris Villalobos tha se piloti informoi kullën e kontrollit të trafikut ajror se do të kthehet për të bërë ulje emergjente menjëherë pas ngritjes, por se nuk dihet shkaku i problemit në avion.

Ai theksoi se pronari i avionit përdorte shpesh aeroportin.

Në deklaratën e Departamentit të Policisë së Fullertonit thuhet se identitetet e personave që humbën jetën në aksident do të bëhen të ditur pas kontakteve me të afërmit e tyre.