Sali Berisha pritet të mbërrijë në Prokurorinë Posaçme për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.

Ndërkohë kanë mbërritur para SPAK edhe protestuesit e parë në tubimin e thirrur nga Partia Demokratike në orën 09:30.

Godina e Prokurisë së Posaçme është rrethuar nga një kordon policor.

Rikthimi i masës “detyrim paraqitje”

Kreu i PD-së Sali Berisha do të paraqitet sot në ambientet e SPAK pas masës së sigurisë së dhënë nga Apeli i Posaçëm.

Apeli i GJKKO caktoi më 3 Janar më parë “Detyrim paraqitje” ndaj ish-kryeministrit të vendit. Për rrjedhojë Berisha do të duhet që të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji.

Për muajin janar, Berisha do të duhet të paraqitet ditën e sotme (6 Janar) para oficerit gjyqësor në Prokurorinë e Posaçme. Lidhur me masën e Apelit të GJKKO, Partia Demokratike ka paralajmëruar protestë para ambienteve të SPAK në orë 09:30.

Në mesazhin drejtuar strukturave thuhet se demokratët duhet të protestojnë për të mbështetur të drejtën, që sipas tyre është në anën e Sali Berishës.

“Nesër, në orën 9:30, të gjithë së bashku përpara selisë së SKAP, për të protestuar kundër akteve përndjekëse që kjo vegël në duart e Ramës, bën kundrejt kundërshtarëve politikë të tij.

Do të jemi aty nesër në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berishës. E hënë, 6 janar, ora 9:30, përpara SKAP-it”, shkruan demokrati Flamur Noka në Facebook.

Sipas vendimit të gjyqtarit Engert Pëllumbi, Berisha duhet të paraqitet të hënën e parë dhe të tretë të muajit.