Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar Kongresin për planifikimin e shitjes së armatimit në vlerë prej tetë miliardë dollarësh për Izraelin, ka konfirmuar një zyrtar amerikan për BBC-në.

Kontingjenti i armëve, të cilit i duhet miratimi nga komitetet në Dhomë dhe Senat, përfshin raketa, predha dhe municione të tjera.

Lëvizja vjen pak ditë para se presidenti Joe Biden ta lërë zyrën e udhëheqësit të shtetit. Washingtoni ka refuzuar deri tash thirrjet për të ndalur mbështetjen ushtarake për Izraelin, për shkak të numrit të madh të civilëve të vrarë në luftën në Gazë.

Në gusht, SHBA-ja miratoi shitjen e aeroplanëve ushtarakë dhe pajisjeve të tjera për Izraelin, në vlerë prej 20 miliardë dollarësh.

Shitja e re e planifikuar përmban raketa ajër-ajër, raketa “Hellfire”, predha artilerie dhe bomba, ka bërë të ditur zyrtari amerikan.

“Presidenti e ka bërë të qartë që Izraeli ka të drejtë të mbrojë qytetarët e vet, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare, dhe të parandalojë çfarëdo agresioni nga Irani dhe organizatat e tij satelite”, ka thënë një burim i afërt me procesin e shitjes. “Ne do të vazhdojmë të ofrojmë të gjitha kapacitetet e domosdoshme për mbrojtjen e Izraelit”.

Bideni shpesh e ka përshkruar përkrahjen amerikane për Izraelin si “të hekurt”.

SHBA-ja është larg furnizuesja më e madhe ushtarake e Izraelit, duke e ndihmuar në krijimin e një prej teknologjive më të sofistikuara ushtarake në të gjithë botën.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Hulumtime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA-ja llogaritet të jetë partneri më i madh i Izraelit në tregtinë e armëve në periudhën 2019-2023 me 69 për qind të importit.

Izraeli pati nisur në fillim të tetorit të 2023-s një fushatë për shkatërrimin e organizatës terroriste Hamas, si përgjigje ndaj sulmit të papritur të saj më 7 tetor të atij viti. Në sulmin e Hamasit ishin vrarë rreth 1200 persona dhe ishin marrë peng 251.

Nga ajo kohë, Izraeli ka vrarë më shumë se 45 mijë e 580 persona në Gazë, sipas të dhënave të ministrisë së udhëhequr nga Hamasi.