Nata e parë e vitit në Tiranë nisi me trazira. Në Cinco Cavalli një nga klubet më të njohura të kryeqytetit, gjatë një eventi ku po performonte këngëtari Stresi dhe pritej të dilte në skenë Dafina Zeqiri, u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Pavarësisht masave të sigurisë, një person me precedentë të mëparshëm arriti të hynte i armatosur në ambientet e festës për ndërrimin e viteve.

Menjëherë pas incidentit, forcat e rendit dhe hetuesit e Komisariatit nr. 2 u angazhuan për zbardhjen e ngjarjes. Burime për ‘zëri’, kanë konfirmuar se autori i të shtënave është Jetmir Pepa, i njohur ndryshe si Mir Pepa. Ky emër doli në qendër të vëmendjes gjatë verës së kaluar, kur ish-bashkëshortja e tij, Mariela Berisha, sulmoi dhe plagosi në një lokal në Tiranë të dashurën e ‘kazanovës’ Pepa, Klea Prenga.

Mir Pepa njihet për përfshirjen e tij në ngjarje të ndryshme me precedentë penalë, shpesh të shoqëruara me incidente të armatosura. Ai hiqet si biznesmen në sektorin e ndërtimit në Tiranë, por ka shumë dyshime se pasuria e tij është vendosur nga burime të jashtligjshme. Në vitin 2020, Pepa u plagos pas një sherri banal në një lokal në zonën e Brrylit. Pepa është i njohur për lidhjet e tij me figura publike dhe më parë ka qenë në një marrëdhënie me motrën e Oriola Marashit, Xhulia Marashi.

Ngjarja e ndodhur në Cinco Cavalli ka rikthyer vëmendjen mbi sigurinë në club-et e Tiranës dhe ka ngritur pikëpyetje për mënyrën se si personat me të kaluar problematike arrijnë të shmangin kontrollet e sigurisë dhe të shkrepin ‘koburen’ pa i’u dridhur qerpiku.