Një shtetase turke është arrestuar këtë të premte në Tiranë në vazhdim të operacionit policor “Escort”. 40-vjeçarja së bashku me një tjetër të arrestuar rekrutonin vajza të huaja, nga Turqia dhe nga Azerbajxhani, dhe më pas i shfrytëzonin për prostitucion, duke përdorur një faqe online.
Gjatë operacionit janë sekuestruar bizhuteri floriri dhe një shumë parash, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Gjithashtu janë referuar materialet në Prokurori, për 2 shtetase turke, të dyshuara për ushtrim prostitucioni.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Escort”, zhvilluar 2 javë më parë, kanë kapur dhe vënë në pranga, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, shtetasen G. Ç., 40 vjeçe, banuese në Turqi.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasja G. Ç., në bashkëpunim me shtetasen A. H. (e arrestuar), rekrutonin shtetase të huaja, nga Turqia dhe nga Azerbajxhani, dhe më pas i shfrytëzonin për prostitucion, duke përdorur një faqe online.
Gjatë kontrollit fizik, shtetases G. Ç. i janë gjetur bizhuteri floriri dhe rreth 3000 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.