Mbrëmjen e 23 janarit, policia ndaloi një Audi A8 në fshatin Volkovo. Gjatë kontrolleve, u konstatua se drejtuesi i mjetit kishte mbushur 15 vjeç këtë muaj, ndërsa në automjet u gjetën disa armë dhe municione. Automjeti ishte në pronësi të babait të tij 55-vjeçar, kundër të cilit është hapur procedurë penale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, babai i dyshuar kishte në automjet dy pistoleta, një me kalibër 7.65 mm dhe tjetri me kalibër 9 mm, secili me nga katër fishekë. Përveç tyre, kishte edhe një pistoletë tjetër për të cilën posedonte leje, së bashku me tetë fishekë, si dhe dy pistoleta sinjalistike.

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e një procedurë hetimore kundër një 55-vjeçari të dyshuar për veprën penale – Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregtim të paautorizuar me armë dhe lëndë shpërthyese, sipas nenit 396 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Si masë paraprake, prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të shqiptohet ndalimi i largimit nga vendbanimi ose qëndrimi, detyrimi për të paraqitur periodikisht te një zyrtar i caktuar, si dhe t’i merren pasaporta dhe leja e drejtimit.

Gjithashtu, sipas njoftimit të Prokurorisë, nga gjyqtari i procedurës paraprake është kërkuar ndalimi që djali i mitur i tij, të mitur të tjerë ose persona të paautorizuar të kenë qasje në hapësirat ose në shtëpinë ku ndodhet arma e zjarrit.