Kemi kënaqësinë t’Ju njoftojmë se Bordi i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita” – Tetovë, më 10 janar 2025 mbajti mbledhje në të cilën u analizuan projektet kulturore dhe artistike të realizuara gjatë vitit të kaluar. Njëherazi u diskutua edhe lidhur me programin e punës që parashikojmë ta realizojmë gjatë këtij viti.
Me bashkëpunëtorët e shoqatës sonë të cilët janë veprimtarë të artit dhe të kulturës, i përcaktuam veprimtaritë kulturore-artistike kryesore që do t’i sendërtojmë gjatë vitit 2025, e që janë:
– Mbajtja e Edicionit XII të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”;
– Botimi i revistës për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”;
– Ndarja e Çmimit kombëtar “Ali Vishko”;
– Përfundimi i fazës së dytë të projektit “Mbrojtja e biodiversitetit të florës dhe faunës në Malin Sharr – imperativ shoqëror”, dhe
– Përkujtimi i personaliteteve të shquara që kanë dhënë kontribut të çmuar dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën shqiptare.

Në këtë mbledhje, në vijim të angazhimit tonë për nderimin e figurave të merituara të hapësirave tona, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” mori vendim për themelimin e Çmimit “Selim Ramadani”. Pra, ky çmim do të mbajë emrin e aktorit të gjeneratës së parë të Teatrit të Prishtinës, i cili njëherazi ka qenë i pari aktor profesionist nga Tetova.
Çmimi ,,Selim Ramadani” do t’u jepet personaliteteve për kontribut të theksuar në lëmin e artit, të letërsisë dhe të kulturës sonë dhe i njëjti do të ndahet në manifestimin e përvitshëm kulturor “Lidhja na bashkon”.

Biografia e shkurtër Selim Ramadanit

Selim Ramadani lindi në Tetovë më 19 prill 1947. Arsimin fillor dhe të mesëm – normalen, i kreu në qytetin e lindjes. Qysh si nxënës i shkollës së mesme përfshihet në Grupin e dramës dhe luan role kryesore në dramat e organizuara nga profesorët e gjimnazit dhe të normales. I sugjeruar nga profesor Muedin Hadri, i ndjek studimet në Akademinë e Artit Dramatik në Prishtinë. Studimet i kryen me sukses dhe punësohet si aktor në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë. I takon brezit të parë të aktorëve të teatrit të Kosovës ku ka interpretuar dyzet role kryesore apo dytësore. Ka luajtur role në dramat e autorëve të huaj, por edhe të autorëve shqiptarë. Ka interpretuar role të veprave të autorëve antikë grekë – Eskilit, Euripidit, Sofokliut. Ka luajtur role edhe në veprat e dramaturgëve evropianë të periudhave të ndryshme; role në dramat e autorëve tanë, përfshi edhe romanin e dramatizuar “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Me antidramën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beketit trupi teatror i Prishtinës merr pjesë në festivalet e dramës të mbajtura nëpër Jugosllavi dhe shpërblehet me çmimin e parë. Në kuadër të Shoqërisë kulturore artistike “Xheladin Zeqiri”, në cilësinë e regjisorit, ka përgatitur disa drama me të cilat ka marrë pjesë edhe në festivalet e dramës në Maqedoni dhe është vlerësuar me çmime. Në dramat e tilla i ka angazhuar studentët dhe nxënësit e gjimnazit dhe të normales. Ka shkruar poezi, tregime të shkurtra, drama për fëmijë dhe drama për të rritur. Krijimet i ka botuar nëpër revistat letrare të kohës, në Prishtinë dhe Shkup. Një pjesë e krijimeve të tij janë përfshirë në librin e tij “Një melodi e këputur” të botuar post mortem në vitin 2024. Në libër janë përfshirë edhe një numër fotografish. Në një prej tyre aktorin e shohim me Bekim Fehmiun, ndërsa në një tjetër – me Jusuf Gërvallën. Ka qenë i angazhuar edhe në TV-Prishtinë dhe në Radio Prishtinë. U shua si meteor në moshën 30-vjeçare, më 24 gusht 1977. Prehet i qetë nën këmbët e kalasë së qytetit të lindjes. Vargjet e tij kumbojnë si dikur mu pranë valëve të Shkumbinit që përplasen me shkëmbinjtë e Sharrit plak. Vajti tek yjet për të shndritur që andej me veprën që la pas.
*Themelimi dhe ndarja e Çmimit “Selim Ramadani” mbështetet nga Poliklinika LAOR medical center.

Me respekt,
Mr. Selam Sulejmani
Kryetar i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”