Rusia kreu sulme me dronë në kryeqytetin ukrainas të Kievit mes të martës dhe të mërkurës. Gjatë sulmit u vranë dy njerëz dhe u plagosën të paktën gjashtë të tjerë. Sulmi gjithashtu dëmtoi ndërtesa në dy rrethe, thanë autoritetet.
Shpërthime pati edhe më 1 janar, ndërsa forcat ajrore të Ukrainës paralajmëruan me sirena për sulmr me dronë. Kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se mbrojtja ajrore po zmbrapste një sulm armik.
Dy kate të një ndërtese banimi në zonën qendrore të Kievit janë dëmtuar pjesërisht nga sulmi, sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencës.
Banka Kombëtare e Ukrainës tha përmes një deklarate se një nga ndërtesat e saj ishte dëmtuar nga pjesë të një droni të rrëzuar. Ato dëmtuan gjithashtu një ndërtesë tjetër që nuk është për banim në një lagje tjetër, thanë autoritetet.
“Edhe në natën e Vitit të Ri, Rusia ishte e angazhuar në përpjekjet për të dëmtuar Ukrainën”, tha Presidenti Zelensky përmes një postimit në mediat sociale në përgjigje të sulmit rus.
Ushtria e Ukrainës tha se kishte rrëzuar 63 nga 111 dronët e lëshuar nga Rusia gjatë natës në rajone të ndryshme të Ukrainës. 46 të tjerë ishin rrëzuar duke iu shkaktuar bllokim elektronik, shtoi ai.
Rusia ka kryer sulme të shpeshta ajrore në qytete të Ukrainës përtej vijës së frontit gjatë luftës së saj gati tre-vjeçare.
Të martën, forcat e Moskës hodhën 21 raketa drejt Kievit dhe rajonit verior të Sumit, duke dëmtuar ndërtesat dhe infrastrukturën në qytetin e Shostkas.
Në një tjetër incident të mërkurën, një punëtor vullnetar 23-vjeçar u vra nga bombardimet ruse në qytetin jugor të Khersonit, thanë zyrtarët e qytetit./Voa