Shpërthimi i Tesla Cybertruck në Las Vegas/ FBI: Jo sulm terrorist, por akt vetëvrasjeje. Autori vuante nga PTSD
Shpërthimi i Tesla Cybertruck jashtë hotelit të Trump në Las Vegas duket se nuk ka qenë një sulm terrorist, siç besohej fillimisht, por një rast tragjik vetëvrasjeje.
FBI tha se Mattheë Livelsberger, një anëtar i ushtrisë amerikane me detyrë aktive nga Kolorado, i cili u gjet i vdekur brenda automjetit, vuante nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD).
“Hapat hetimorë kanë zbuluar dhe informacionet e ushtrisë tregojnë se ai ka të ngjarë të ketë vuajtur nga PTSD dhe ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ka pasur çështje të tjera të mundshme familjare ose ankesa personale në jetën e tij që mund të kenë qenë faktorë kontribuues”, tha agjenti i FBI Spencer Evans.
Hetuesit thanë se ata ishin ende duke shqyrtuar më shumë përmbajtje në lidhje me rastin, duke përfshirë dy telefona celularë, dhe vunë në dukje se ngjarja nuk ka lidhje me sulmin në New Orleans.