Udhëheqësit e rinj të Sirisë thuhet se u kanë dhënë pozicione në ushtrinë e re disa shtetasve të huaj që luftuan me grupet xhihadiste kundër presidentit Bashar al-Assad gjatë Luftës Civile Siriane, raporton agjencia Reuters.
Nga rreth 50 emërime të bëra nga Ministria e Mbrojtjes, të paktën gjashtë prej tyre thuhet se u kanë shkuar të huajve, duke përfshirë një turk, një jordanez, një shqiptar dhe disa ujgurë.
Disa prej këtyre të huajve thuhet se kanë marrë poste të larta si kolonel, duke ngritur alarmin jashtë vendit.
Për shembull, shqiptari Abdul Yeshari, i njohur si Abu Qatada al-Albani, është në listën terroriste të SHBA-ve.
Abdul Yeshari është një “këshilltar ushtarak i Al Nusra-s, i cili gjithashtu ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve për familjet e luftëtarëve”, sipas qeverisë amerikane.
Abu Muhammad al-Jolani “emëroi Yeshari-n si udhëheqës” të “operacioneve ushtarake” të Nusra-s gjatë verës së vitit 2014 dhe drejtoi “operacionet ushtarake të grupit në Sirinë veriore” një vit më vonë.
Yeshari njihet edhe si Abu Qatada al-Albani (Shqiptari – ed.).
Gjatë një fjalimi që u zbulua në internet në korrik 2014, Abu Muhammad al-Jolani u tha ndjekësve të tij se Abu Qatada al-Albani ishte emëruar si kreu i ri i forcave ushtarake të Nusra-s dhe se ata duhet t’i binden atij.
Popullsia siriane raportohet gjithashtu të jetë gjithnjë e më e shqetësuar për ndikimin e ekstremistëve brenda administratës së re.
Megjithatë, Jolani ka pohuar vazhdimisht se regjimi i ri do të jetë tolerant ndaj pakicave të shumta të vendit.
Ndërkohë, nuk është përjashtuar që luftëtarëve të huaj dhe familjeve të tyre t’u jepet e drejta për t’u bërë shtetas sirianë dhe për të banuar në vend.
Ndërsa ekziston një listë emërimesh, Reuters tha se nuk mund të verifikonte kombësitë.