Sot pritet që qytetarët të mos bëjnë blerje në markete për shkak të çmimeve të larta të produkteve ushqimore.
Kjo vjen pas iniciativës që fillimisht ndodhi në Kroaci, e cila u ndoq edhe në Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Slloveni.
Populli reagoi pasi asnjë masë e Qeverisë nuk arriti të përballojë shpejtësinë e rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Një pjesë e tregtarëve vendosën sot të bëjnë inventar në dyqanet e tyre, disa t’i mbyllin marketet, ndërsa të tjerë do të punojnë dhe i ftojnë qytetarët për të bërë pazar me zbritje ekstra.
Aksioni mori mbështetje nga opinioni i gjerë publik, si dhe nga partitë e pushtetit dhe opozita, ndërkohë që institucionet përgjegjëse paralajmëruan kontrolle rigoroze në markete dhe objekte tregtare, si dhe reagim të menjëhershëm në terren.
Kryeministri Hristijan Mickoski ditët e fundit disa herë shprehu mirëkuptim për bojkotin dhe paralajmëroi kontrolle të shtuara dhe gjoba për tregtarët që shkelin ligjin, si dhe masa për mbrojtjen e standardit jetësor.
Ai edhe dje nga foltorja e Kuvendit, gjatë seancës për pyetjet parlamentare, theksoi se nuk do të lejohet që individë të keqpërdorin pozitat e tyre dhe të pasurohen në kurriz të qytetarëve.