Një studim i ri nga University College London ka zbuluar se jetesa pranë aeroporteve mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për sulme në zemër dhe probleme të tjera kardiake.

Shkencëtarët kanë zbuluar se zhurma e fuqishme e avionëve shkakton anomali në zemër, duke ndikuar negativisht në shëndetin e saj. Studimi analizoi të dhëna të imazherisë kardiake nga 3,635 banorë që jetojnë pranë aeroporteve si Heathrow, Gatwick, Birmingham dhe Manchester, transmeton klankosova.tv.

Rezultatet treguan se banorët e ekspozuar ndaj zhurmës së avionëve kishin muskuj të zemrës më të trashë dhe më të fortë krahasuar me ata që nuk përballen me këto nivele të larta zhurme. Këto ndryshime e bëjnë pompimin e gjakut më pak efikas, duke katërfishuar rrezikun për sulme në zemër, aritmi të rrezikshme dhe goditje në tru.

Kardiologia Dr. Gaby Captur, pjesë e ekipit hulumtues, tha: “Gjetjet tona i shtohen një trupi gjithnjë e në rritje të provave se zhurma e avionëve mund të ndikojë negativisht jo vetëm në shëndetin e zemrës, por edhe në shëndetin e përgjithshëm.”

Sipas mail online, Dr. Captur bëri thirrje për masa të koordinuara nga qeveria dhe industria për të reduktuar ekspozimin ndaj zhurmës së avionëve dhe për të mbrojtur shëndetin e miliona njerëzve që jetojnë pranë aeroporteve apo nën rrugët e fluturimit.